Ditë më parë Këshilli i Qarkut Dibër me vota unanime vendosi dhënien e titullit “Nderi i Qarkut Dibër”, majorit që ra në krye të detyrës gjatë misionit ushtarak në Letoni.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër Valentina Haliti, Prefekti Nexhbedin Shehu, kryetari i bashkisë Klos Ilmi Hoxha, zyrtarë të bashkisë Dibër, këshilltarë të këtij qarku, familjarë, veteranë të rrethit, banorë të Peshkopisë u shprehën se Klodian Tanushi dha jetën në krye të detyrës dhe për këtë u shprehën se janë krenarë.
Babai i Klodianit, Basir Tanushi tha se djali i tij ishte një patriot i vërtetë dhe këtë nuk nguronte të shprehte herë pas herë, madje dhe publikisht. “Ndjehem i vlerësuar nga të gjitha institucionet shtetërore. Falenderoj Këshillin e Qarkut Dibër për vendimin e marrë që djali im të shpallet “Nderi i Qarkut Dibër”. Ky është një vlerësim për kontributin e Klodit. Djalim im ishte dhe futbollist i Korabit, madje nga Letonia shprehte mbështetje për skuadrën e vendlindjes”, pohoi gjatë fjalës së tij, babai i Major Klodian Tanushit. /tirananews.al/