Sot në Prefekturën Dibër u mbajt mbledhja e Task Forcës kundër pandemisë Covid 19. Zyrtarë të institucioneve të ndryshme u shprehën se situata është nën kontroll dhe aktualisht po bëhet kujdes i veçantë në shkollat e rretheve Mat, Bulqizë e Klos.
Mësohet se kohët e fundit janë gjobitur 8 restorante që kanë organizuar dasma, duke shkelur Aktin Normativ. Dy lokale janë gjobitur me nga 1 milion lekë, ndërsa 6 subjekte të tjera i kanë apeluar vendimet e Task Forcës.
Shqetësues mbetet fakti se në bashkitë Dibër e Bulqizë mungojnë termometrat digjital. Madje nuk është ende e qartë se kush duhet t’i sigurojë ato, shkolla, bashkia apo zyrat arsimore. Në 71 shkolla të Dibrës dhe 16 të Bulqizës prej ditës së parë të shkollës nuk kontrollohet temperatura e nxënësve. Sakaq Bashkia Mat ka siguruar termometra për të gjitha shkollat që ndodhen në territorin e saj.
Prefekti Nexhbedin Shehu kërkoi angazhim më të madh të të gjitha autoriteteve, Task Forcës, Policisë, AKU-së, Inspektoriatit të Punës, Tatimeve, NJVDSHP-ve, për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të marrë masat e nevojshme që gjendja të mos përkeqësohet.