Siguria në shkolla ishte kryefjala e mbledhjes së Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, me drejtues të institucioneve dhe ato të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos.
Pjesmarrësit u shprehën se problemi kryesor është mungesa e oficerëve të sigurisë dhe psikologëve si dhe proçedurat burokratike për rekrutimin e tyre.
Drejtues të Zyrave Vendore të Arsimit theksuan se janë evidentuar raste të qarkullimit të mjeteve me shpejtësi pranë shkollave të mesme, hyrje brenda territorit të shkollave e personave që nuk janë nxënës, mungesa e psikologëve, konsumimi i ushqimeve të pakontrolluara dhe duhanit si dhe mungesa e kamerave në shumë shkolla të Qarkut Dibër.
“Policia ushtron kontrolle fizike të nxënësve për sende të ndaluara. Në shkollat e qyteteve pas mbarimit të mësimit patrullojnë edhe “Shqiponjat”. Këto ditë kemi parandaluar një ngjarje të rëndë në shkollën e Selishtës. Jemi të vendosur të bashkëpunojnë ngushtësisht me shkollat, zyrat arsimore dhe bashkitë për sigurinë në shkolla”, thanë drejtues të Policisë Dibër.