Një 18- vjeçar rezulton i zhdukur prej 21 ditësh. Ardian Pali kishte shkuar për të mbledhur bimë medicinale në malin e Korabit dhe nuk u kthye më. Familja denoncoi në Policis, me 18 maj 2020, zhdukjen e tij.
Mësohet se ai shoqërohej nga dy persona, babi dhe një kushëri. Pas disa orësh të afërmit kanë pritur ribashkimin me 18 vjeçarin, por kjo nuk ka ndodhur. Babai dhe kushëriri kanë nisur kërkimet në zonën ku po mblidhnin bimë mjekësore, por ka qenë e pamundur.
Mbrëmjen e asaj dite u kanë ardhur në ndihmë edhe të afërmit dhe banorët e fshatit më të afërt. Përsëri nuk kanë rënë në gjurmët e Palit.
Në kërkim të të riut janë vënë dhjetra banorë të zonës. Kërkimet nuk kanë dhënë rezultat. Në këto rrethana është kërkuar ndihma e Policisë dhe Ushtrisë shqiptare si dhe autoriteteve të kufirit në Maqedoninë e Veriut, pasi dyshohet se 18 vjeçari ka rrëshqitur nga maja e Korabit dhe ka rënë në tokën e vendit fqinj.
Burime pranë Komisariatit të Policisë Dibër bëjnë me dije se prej ditësh është angazhuar në kërkime edhe Policia e Maqedonisë së Veriut, por nga ana e tyre nuk ka informacione të dobishme për gjetjen e Ardian Palit. /tirananews.al/