Edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri duket se do të ketë fatin e të parit, pasi asnjë nga palët politike nuk ka propozuar një emër. Afati i cili ishte vendosur për sot në orën 16:00 ka skaduar.
Sipas marrëveshjes së arritur gjatë javës që kaloi, opozita duhet të paraqiste emra deri në raundin e tretë, ndërsa mazhoranca në dy raundet e fundit. Por duket se kjo marrëveshje është shkelur, pasi PS u shpreh se nuk do të japë firma për kandidatët e opozitës.
Alibeaj propozoi një formulë sipas të cilës PD do të propozonte katër kandidatë dhe më pas maxhoranca përzgjidhte dy emrat që gëzojnë besimin më të madh.
Pas kësaj, një komision i përbërë nga 6 anëtarë, 3 nga PS dhe 3 nga PD, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur do i nënshtrohej procesit të votimit në seancë plenare.
Por kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla deklaroi në një konferencë për mediat se e gjitha ishte një keqkuptim pasi të majtët nuk do të japim firma për kandidatët e PD, duke mos pasur garancinë se emrat që ata do të sjellin në tryezë do të jenë të denjë për të drejtuar presidencën.
Qëndrimi i mazhorances
Taulant Balla nga Fieri i bëri thirrje sërish Partisë Demokratike të reflektojë dhe mos i shpërdorojë orët e mbetura për propozimin e kandidatëve.
“Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë për të prezantuar kandidaturave. Nuk e kuptoj pse PD u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Orët në vijim duhen përdorur me përgjegjësi. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit.
Si e kam thënë ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me PD dhe dy grupet e tjera që dy raundet i takojnë propozimeve të kandidatëve nga opozita. Në rast se në raundin e tret opozita nuk do e marrë përgjegjësinë në raundin e katërt do të zgjidhet presidenti apo presidentja e opozitës dhe do vazhdojmë regjistrimin e kandidatëve të propozuar prej nesh”, u shpreh Taulant Balla.
Qëndrimi i opozitës
Sekretari i grupit parlamentar të PD Arbi Agalliu teksa iu përgjigj Ballës, u shpreh sot se pasi mësuan kandidatët seriozë të demokratëve, PS u tërhoq nga marrëveshja.
““Pacta sunt servanda”. Është ky minimumi i seriozitetit që procesi i zgjedhjes së Presidentit meriton të ketë. Taulant Balla u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin ai vetë ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve.
Mesa duket, pasi mësuan kandidatët e propozuar nga deputetët e PD, njerëz seriozë e me integritet, që nderojnë Shqipërinë, u terhoq pa shpjegim dhe bën sikur nuk kupton.
PD është për një President për të gjithë shqiptarët dhe që nderon Shqipërinë. PS kërkon President vetëm për socialistët për ta patur në xhep Rama. Këtë të dytën mund ta bëjë, me mandatet e vjedhura dhe deputetët non grata, por jo me PD”, shkruan Agalliu.