Rusia historikisht ka patur dhe ka ende përpjekje të vazhdueshme për të patur ndikim në Shqipëri, thotë diplomati i njohur Spartak Topollaj, duke shtuar se akuzat e qeverisë për ndikimin e saj të opozita shqiptare janë manovra që bëhen për interesa politike.
I ftuar në Fax News, Topollaj thotë se deputetët e rinj që kanë pranuar të marrin mandatin duke zëvendësuar kështu vendet vakante të krijuara pas largimit nga Kuvendi të opozitës hanë dreka dhe darka me diplomatë pranë ambasadës ruse në Tiranë, dhe flitet se ju janë rezervuar edhe vizita në Rusi.
“Në këto momente kur opozita duke mos patur alternativë tjetër pasi tregoi fakte për korrupsionin, tenderat dhe vjedhjen e votës, dilte implikimi i drejtuesve të lartë të pushtetit lokal dhe qëndror dhe nuk kishte reagim. Dhe duke mos patur alternativë tjetër vendosi të djegë mandate.
Menjëherë u gjetën disa deputetë listash, të cilëve më falni për shprehjen por bënin sikur ju digjte barku për ndërkombëtarët që pranuan të marrin mandatet, në një kohë që ndërkombëtarët kanë disa norma jo ti bëjmë zot shpie. Këta janë parë shpesh me disa të personelit të ambsadave ruse, hanë dreka dhe darka me këta zyrtarë, madje edhe ftohen për vizita në Rusi. Pas kësaj nuk mund të themi se nuk fshihet diçka.
Rusia është e interesuar shumë për të ardhur në pushtet binjtë e atyre që kanë ka patur atje, e them me bindje të gjatë se dora e gjatë e Putinit dhe ylli polar i Kremlinit është prezent në Shqipëri. Fakti se kur dalin dhe preken të tilla tema ata reagojnë në mënyrë të menjëhershme dhe që sillen me Kosovën dhe njohjen e saj në mënyrë të dyfishtë e tregon këtë”, deklaroi ndër të tjera Topollaj.
Topollaj komentoi edhe deklaratat e fundit të bëra nga Presidenti Ilir Meta lidhur me situatën politike në vend, duke e gjykuar atë si të drejtë por duke argumentuar se situata në Shqipëri nuk është në një gjendje alarmante siç shpesh përflitet.
“E gjykoj të drejtë gjykimin e presidentit, mendoj se nuk jemi në atë shkallë sepse jam i bindur se edhe brenda PS ka një shumicë dërrmuese që janë të vetëdijshëm, janë atdhetarë dhe e duan vendin e tyre. Rreziku rus nuk mund të jetë i tillë për aq kohë sa ata e dinë se këtu janë Amerika dhe NATO”.
Diplomati bëri të ditur se Rusia ka një bazë të mbushur me reporter dhe pajisje moderne përgjimi dhe vëzhgimi në Nish me të cilat përpiqet të krijojë influencë në rajon.
“Prania e Rusisë në Nish përmes reporterëve dhe pajisjeve të modifikuara dhe moderne përgjuese interesimin e kanë të madh. Me shkëputjen edhe të Malit të Zi ëndërra ruse që me Pjetrin e Madh për të dalë në detin Adriatik ka vdekur.
Populli rus është një popull i madh me artistë, shkrimtarë e histori të madhe por politika ruse ka një prirje dhe strategji për të patur ndikim në Ballkan. Por mendoj se politika ruse do ta kuptojë sepse Putin nuk mund të jetë i përjetshëm, por edhe besoj se ky ndikim do të vijë duke u zbehur sepse jemi në një kohë kur të gjithë e kuptojmë se trazira dhe lufta nuk sjellë asnjë dobi”
Topollaj foli edhe për debatin që është hapur prej muajsh rreth korigjimit apo ndryshimit të kufinjve të Kosovës, duke argumentuar se mbështet qëndrimin e deritanishëm të Kryeministrit Haradinaj.