Disa shtetas shqiptarë që vijojnë të jenë në Rripin e Gazës kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga aty.
Për këtë ka reaguar Ministria e Jashtme, e cila njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadat shqiptare në Egjipt, Izrael dhe organizatat ndërkombëtare për të lehtësuar daljen e shtetasve nga Rripi i Gazës.
“Pas disa intervistave në media, MEPJ përmes ambasadës në Egjipt është vënë në kontakt me disa qytetarë (shtetas shqiptarë) të cilët kërkojnë të largohen nga Rripi i Gazës. Prej 48 orësh MEPJ është në kontakt orë pas ore me këta shtetas, të cilët vetëm dy ditë më parë kanë deklaruar zyrtarisht se jetojnë në Rripin e Gazës. Më herët, MEPJ nuk ka patur asnjë deklarim të shtetasve shqiptarë, pranë autoriteteve të saj në Egjipt apo Izrael, që jetojnë në Rripin e Gazës. Prej kontaktit të parë me këta shtetas, MEPJ është në komunikim në vazhdueshëm me përfaqësitë e saj në Egjipt dhe Izrael dhe organizatat ndërkombëtare për lehtësimin e daljes së shtetasve nga Rripi i Gazës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.