Kongresi i 10-të i Partisë së Punës u mbajt në datat 10-13 qershor 1991. Në këtë Kongres u themelua Partia Socialiste e Shqipërisë. Si një nga delegatët e atij Kongesi kujtoj se si intelektualë të njohur u distantuan hapur dhe prerë nga politika e vjetër e PPSH-së, madje drejtuesit e regjimit të kaluar u kritikuan rëndë për veprimet e tyre.
Spiro Dede, në raportin që ai lexoi kritikoi fort lidhjen e partisë me shtetin, izolimin e vendit, tufëzimin e bagëtive, luftën e egër të klasave, ndalimin e besimit fetar, etj. Dede pasi përmendi disa cilësi pozitive të diktarorit Hoxha shtoi se ishte i gabuar kulti i individit. Sipas tij Hoxha rrethohej nga njerëz që siguronin privilegje të pamerituara. Sakaq në raport Ramiz Alia u qortua se mbajti në radhët e Byrosë Politike disa antarë të plakur dhe pa reputacion në popull.
Ishte mesnata e 11 qershorit kur delegatët propozuan përjashtimin nga partia të disa byroistëve. Manush Myftiu, Lenka Çuko, Rita Marko, Pali Miska, Hekuran Isai, Simon Stefani, Qirjako Mihali, Muho Asllani e Xhemal Dymylja. Ata u “damkosën” nga Kongresi i fundit i PPSH-së dhe i pari i PSSH-së. Ndërkohë pati propozim për ndëshkim më të butë për Foto Çamin, Pirro Kondin, Prokop Murrën, Besnik Bekteshin, Llambi Gegpriftin, Hajredin Çelikun, Spiro Kolekën e Haki Toskën.
Në sfond qëndronin parullat: Drejtësi sociale, përtëritje, progres dhe Unitet Kombëtar-Demokraci. Nuk më shqiten nga mendje diskutimet e qarta dhe kritike të disa delegatëve të atij kongresi.
Kiço Londo, delegat i Fierit ngriti zërin dhe tha se antarët e Byrosë Politike kanë dezertuar interesat e qytetarëve dhe duhet të përjashtohen nga radhët e partisë. Ai shkoi më tej kur propozoi të nxirren nga salla ku mbahej kongresi. Delegati i Elbasanit Mentar Sula nënvizoi se iniciator i demokracisë në vend është populli shqiptar dhe shtoi se nuk është koha të shohim prapa. Mark Rica nga Mirdita nënvizoi se administrata burokratike nuk i shërbeu qytetarëve. Duke iu referuar shqetësimit të fermerëve të krahinës ai tha se: “Ne jemi Parti Socialiste”. Petro Koçi ishte kundër kultit të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë. “Populli nuk i duron privilegjet e antarëve të Byrosë Politike”, theksoi Koçi. Ndërkohë delegati nga Shkodra, Luigj Shala me zë të larta do të thoshte nga tribuna e atij Kongresi: “Haram mundi dhe djersa e këtij populli. Dënojmë me neveri këto kolltufagë dhe milionerë”.
Adil Çarçani fillimisht u shpreh dakort me delegatët e Fierit që kërkonin ndëshkimin e Byrosë Politike dhe pastaj nënvizoi se ai kishte qenë pjesmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare. Ai pranoi se e meritonte largimin nga kjo parti. “Nëse shoku Enver më thoshte se unë isha një person i aftë për detyra shumë të rëndësishme, tani e kuptoj se gjendja është ndryshe, shoh se jam i paaftë për të drejtuar”, tha gjatë fjalës së tij Adil Çarçani, ish kryeministër i vendit. Ai foli edhe për marrëdhënit me Ramiz Alinë dhe shtoi se kishte kaluar katër operacione gjatë jetës së tij. Çarçani pranoi publikisht se ishte përgjegjës se nuk kishte kontrolluar si duhet Drejtorinë e Pritjes, por tha se ishte i vetëm në këtë sfidë. Në përgjigje të pyetjeve të delegatëve Çarçani tha se: “Nuk di se kush ka depozituar para në banka. Nuk di cilat kanë qenë abuzimet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Nuk kam marrë njeri në bllok. Gjatë karrierës time nuk kam dënuar njeri. Për Enver Hoxhën kam ato mendime që u thanë në raport. Enveri na dëgjonte dhe në fund vendoste vetë. Jam për rinovimin e partisë”.
Antari i Byrosë Politike, Pali Miska pranoi se janë bërë gabime dhe ra dakort me masat e propozuara për antarët e forumit më të lartë politik të kohës. “I kam qëndruar besnik partisë. 25 vjet punova në sharra e sektorë të tjerë të vështirë. Kam qarkulluar mesatarisht çdo 2. 5 vjet. Nuk hoqëm dorë nga privilegjet dhe ky ishte një gabim i rëndë. Jemi përgjegjës se nuk ishim largpamës”, pohoi Miska në atë kongres. Diskutimi i Hekuran Isait ishte ndryshe nga diskutimet e tjera. Ai tha se kishte marrë urdhër nga Ramiz Alia për të qëlluar mbi demonstruesit që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës. Isai tha se nuk dëshironte të bëntë masakër në qendër të Tiranës. Në sallë kishte irritime, reagime, nervozizëm gjatë fjalët s ëish ministrit të Brendshëm. Në Kongres lexohet një informacion mbi privilegjet e antarëve të Byrosë Politike ku përmendej trajtimi në bllok, harxhimet e shumta të luksit, shumat e depozituara në banka. Të gjitha këto me vendime të Byrosë Politike.
Një delegat nga Kukësi shprehet se Enver Hoxha paska qenë në hall të madh dhe kërkoi që byroistët t’i drejtohen me dëshirë burgut. Ai përmendi si intelektual të spikatur Fatos Nanon. Salla shpërthen në duatrokitije. Muho Asllani e Vangjel Çërrava shprehen se nuk kanë shfrytëzuar postet që kanë mbajtur dhe se janë trajtuar me ushqime si çdo qytetar i Tiranës. Ndërhyrje nga Gramoz Ruçi e Xhelil Gjoni gjatë fjalës së Qirjako Mihalit, të cilit i vunë në dukje gabimet e bëra si drejtues i lartë i partisë. Manush Myftiu pranoi se ka përfituar nga privilegjet dhe tha se nuk i meritonte ato. Ai nënvizoi se kishte operuar bashkëshorten jashtë vendit me paratë e shtetit dhe e mbylli diskutimin me deklaratën e tij se si kryetar i internimeve dhe burgosjeve kishte zbatuar ligjet e kohës. “I kemi sjellë dëme partisë”, tha Foto Çami. Ai hodhi poshtë shkrimet e gazetave në lidhje me abuzimet e antarëve të Byrosë Politike. Së bashku me Ramiz Alinë, shtoi Çami, kemi qenë solidarë për demokratizimin e vendit. Ai nuk u shpreh dakort me vendimin për përjashtimin nga Komiteti Qendror. Prokop Murra e Lenka Çoku u rrekën të justifikohen para Kongresit, por nga salla kishte reagime të forta qortuese. Masën për përjashtimin nga partia ata e konsideruan shumë të rëndë. “Janë marrë vendime paraprake dhe nuk jemi dakort me to” theksoi Rita Marko. Ndërsa Llambi Gegprifti tha se Ramiz Alia i kishte kritikuar disa herë antarët e Byrosë Politike për privilegjet e tyre.
Ramiz Alia pohoi se: “Kemi folur për mediokritetin që ju e patë sot këtu. Përse i bihet gjoksit nga disa shokë. Privilegjet kanë qenë të gabuara dhe të shëmtuara. Partia të vendosë për këta njerëz. Ajo ka forca të fitojë besimin e popullit”.
Në ditën e dytë të Kongresit delegati i Tropojës Hysni Osmani tha se duhet një mbështetje serioze dhe e fuqishme për Kosovën dhe propozoi të ketë një vlerësim korrekt për figurën e Enver Hoxhës. “Duhet të mbyllim kapitujt e të shkurës, e nisi fjalën e tij shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Diktatura e vendosur në Shqipëri qe shumë e gabuar. Ne kishim tre kulte, të Enver Hoxhës, të partisë dhe të sigurimit. Në ekonomi janë bërë gabime të rënda”, shprehej Agolli. Teksa ai kritikonte fort fenomenet negative të PPSH-së dhe drejtuesve të saj në sallë kishte reagime, por Agolli vijonte fjalën e tij për shkeljen e të drejtave të njeriut, izolimin e padrejtë të vendit, etj.
Duke rimarrë fjalën Ramiz Allia u shpreh se: “Kam qenë katër dekada në radhët e Partisë së Punës. Udhëheqja e lartë e partisë ka përgjegjësitë e veta për drejtimin e vendit. Kemi patur suksese dhe i kemi thënë ato. Por, nuk kemi përmendur të metat dhe gabimet. Në fillimet e veta politika e ndjekur nga PPSH-ja i dha frytet e veta. Sigurisht që kemi bërë gabime. Sistemi frymëzoi burokracinë. Edhe unë kam gabimet e mija. Një njeri i vetëm s’mund të mbajë përgjegjësi për çdo gjë. Gjatë gjashtë vitemi kam drejtuar PPSH-në dhe mendova të drejtoja ndryshe. Personalisht nuk kam qenë për ndryshime të shpejta. Byroja Politike u gjet e papërgatitur për këto ndryshime. I kam kritikuar dhe i kritikoj privilegjet e antarëve të Byrosë Politike. Ka patur teprime të shumta nga Blloku. Disa shtuan banesat dhe Blloku u kthye në lagje. Jam mjaftuar me kritika. Duhet të kisha ndërhyrë energjikisht. Partia e Punës duhet të ndryshojë”, theksoi në fjalën e tij Ramiz Alia.
Emocion në sallë solli fjala e Kadri Roshit. Ai tha se fshatit i kemi shumë borxhe. “Fshati na mbajti me bukë në luftë dhe koha e la në baltë. Bujku duhet të marrë më shumë nga ne. Evropa nuk na mban me lugë në brez”, tha artisti i madh.
Gjatë në atë kongres foli Nexhmije Hoxha. Tha se në radhët e Byrosë Politike ka patur çoroditje. Pranoi se blloku ishte kthyer në një lagje patriarkale. Ajo tha se duhet parë qartë e ardhmje e vendit. “Ne, theksoi Hoxha, ndoqëm sistemin politik të Bashkimit Sovjetik dhe ky rezultoi i gabuar. Në fushatën e fundit në parti nuk jam përfshirë. I kërkoj ndjesë popullit e partisë. Udhëheqja e re e partisë të qartësojë rolin e Enver Hoxhës. Historianët të bëjnë vlerësimet e tyre. Sigrurisht që Enveri ka përgjegjësitë e veta. Ai ka gjashtë vjet që ka vdekur dhe nuk është e drejtë të qartohet kaq shumë. Enveri nuk ishte as dogmatik dhe as prepotent. Kjo parti duhet të rinovohet por nuk jam për ndërrimin e emrit të saj”, tha Nexhmije Hoxha.
Delegati i Librazhdit Fatos Zhara propozoi që Partia e Punës të marrë emrin Partia Socialiste. Leontjev Çuçi sugjeroi të krijohet një parti e re në përmbajtje ndërsa Nexhip Sulejmani kërkoi vlerësim për çështjen came. Jup Ajazi iu bashkua mendimet për themelimin e Partisë Socialiste.
“Ndërrimi i emrit të partisë nuk është ndërrim tabele, tha Servet Pëllumbi. Edhe Evropa ka parti të tilla me potencë. Ne duhet të miratojmë një program dhe statut si partitë simotra të Evropës. Kërkohet një ridemensinim i kësaj partie. Ne nuk jemi për mohimin e gjithçkaje të mirë që është realizuar në vend” tha Pëllumbi në atë Kongres. Edhe Shaqir Vukaj tha se emri i ri i partisë duhet të jetë Partia Socialiste. Seancën që u vendos ndryshimi i emrit të partisë e drejtonte Ismail Lleshi.
Në ditën e dytë të Kongresit u miratuan tri rezoluta, për fshatin, për rininë dhe Kosovën. Në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi organet drejtuese të Partisë Socialiste. Kryetar u zgjodh Fatos Nano dhe nënkryetar Ismail Lleshi, Spiro Dede e Servet Pëllumbi. Këshilli drejtues përbëhej nga 15 veta.
Hasan PASHA
Delegat i Kongresit të I-rë të PSSH-së