Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar i PS, ka deklaruar këtë mbrëmje se beson se ende në PD ka njerëz të përgjegjshëm të cilët nuk do të pranojnë që të marrin një vendim që do ta vendoste partinë e djathtë kundër SHBA.
I ftuar në “Opinion” ai ka deklaruar se “Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë. Mandatet parlamentare përfaqësojnë vullnetin e popullit. Djegia e tyre do të thotë injorimi i këtij vullneti”.
Ai e ka quajtur vendimin për djegien e mandateve si bojkot të fshehur dhe të maskuar të opozitës. “Ky është bojkot i fshehur, i maskuar… unë kam besim se brenda PD ka ende ka njerëz të përgjegjshme që nuk duan ta vendosin partinë e djathë kundër SHBA”, deklaroi Balla duke iu referuar deklaratës së ambasadës amerikane të bërë ditën e ditën e sotme, ku shprehej se largimi nga kuvendi minon parimet bazë të demokracisë.
I pyetur se çfarë i ofrohet opozitës për të zgjidhur këtë krizë, ai deklaroi se këtu nuk bëhet fjalë për krizë me fajtorë dy palët. “Duhet të kuptojmë se nuk ka një krizë ku fajtorë janë dy palët, por e shkaktuar për nevoja të brendshëm të opozitës”, tha deputeti i majtë.
Sakaq ai ka deklaruar se kërkesat e PD, për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, PS nuk do t’i pranojë. “Është një “jo” në kushtet se besoni se opozita nuk dorëzon mandatet, apo edhe po t’i dorëzojë?”, i është drejtuar gazetari Artan Hoxha. “Jo në asnjë rast. Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë do të bëhen në qershor të vitit 2021… Lulzim bëhu gati për zgjedhjet”, ka përfunduar Balla.