Alfred Peza, Sekretar i Marrëdhënieve me Mediat në PS flet në lidhje me situatën politike në vend që është trazuar për shkak të protestës së opozitës dhe djegies së mandateve.
Jemi përpara një akti politik ku opozita në bllok dogji mandatet e deputetëve. Çfarë do të ndodhë tani dhe në vijim, përse opozita arriti në këtë akt ekstrem? Kemi një Parlament “monopartik”, ndërsa qeveria duket se nuk do të tërhiqet dhe të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. A rrezikon vendi kalimin në kaos?
Opozita jonë arriti në këtë akt ekstrem për shkak të filozofisë së saj në qasjen ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. PD dhe Kryetari i saj Lulzim Basha bojkotuan në vitet 2013- 2015 komisionin parlamentar për reformën e ndarjes administrativo-territoriale të vendit. Basha deklaronte se nuk hyjmë në zgjedhje me këtë hartë të re. Më pas nxori alibinë se i humbën zgjedhjet lokale të 2015 për shkak të hartës, ndërsa tani vonë pranuan që bojkoti i kësaj reforme ishte një gabim. Për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017, u “shpik” çadra ku u tha se do të themelohej “Republika e Re” dhe se nuk hyjmë në zgjedhje pa Qeveri Teknike. Në marrëveshje me Ramën, PD dhe Basha morën zv.kryeministrin dhe gjysmën e ministrive më të rëndësishme të qeverisë. Morën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe të KQZ që janë dy institucionet e vetme përgjegjëse për mbarëvajtjen, ruajtjen, sigurinë dhe certifikimit të rezultatit elektoral. Si përfundim PD e Bashës mori 240 mijë vota më pak se PD e Berishës më 2013. Të 7 anëtarët e KQZ e firmosën rezultatin final. Nga 35 mijë vëzhguesit e zgjedhjeve, ku gjysma ishin të PD nuk pati asnjë kontestim. Në kolegjin zgjedhor nuk u bë asnjë ankimim dhe në raportin final të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR ato u cilësuan si zgjedhjet më të mira të zhvilluara pas 1990 në Shqipëri. Tani PD dhe Basha kujtohen se zgjedhjet paskan patur probleme. Nga ana tjetër, pas zgjedhjeve të 2017 u ngrit komisioni parlamentar për reformën e re elektorale ku do adresoheshin të gjitha problematikat zgjedhore. Por opozita e ka bojkotuar sistematikisht atë. Çka do të thotë se nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemeve në rrugë institucionale, parlamentare e ligjore. Ajo kërkon që vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme jo më me anë të “Qeverisë Teknike” si para zgjedhjeve të 2017, por nëpërmjet një “Qeverie Tranzitore”, tani në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Siç duket, e gjitha kjo është një konstante e opozitës, në mënyrën e përballjes me PS e cila ka fituar një mandat legjitim nga qytetarët për ta qeverisur Shqipërinë deri më 2021. Opozita e kupton se nuk e mund dot me votë mazhorancën aktuale, ndaj kërkon nëpërmjet artificeve, që të rikthehen në pushtet. PD e LSI po kërkojnë që të marrin pushtet në tavolinë duke dashur që të provokojë një krizë artificiale politike, për të penguar ndërkohë edhe Reformën në Drejtësi, nga frika e ndëshkimit të liderëve të korruptuar dhe të inkriminuar në këta 30 vjet. Akti i djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, është grisje e marrëveshjes 4-vjeçare të mirëbesimit politik të qytetarëve që i kanë votuar. Mazhoranca nuk është e gëzuar që opozita bëri një akt vetëvrasjeje politike, por tani është më e vendosur për të marrë përgjegjësi më të mëdha përpara shqiptarëve. Vendi nuk rrezikon që të kalojë në kaos, sepse ky nuk është zemërimi i qytetarëve, por i një pjese të elitës politike në opozitë. Historia na ka mëzuar se “revolucionet” nuk i bëjnë kastat por populli, nuk i bëjnë “skllavopronarët por skllevërit”, nuk i bëjnë elitat por masat.
Përpara janë zgjedhjet lokale, vendi pret vendimin e BE-së për çështjen e negociatave, ndërsa kjo i shtohet edhe një pakënaqësie popullore me protestat që nisën nga studentët, vijuan me banorët e Unazës së Re dhe u përmbyll me opozitën. Reagimet erdhën për shkak të keqqeverisjes, disa skandale të dyshuara korruptive, arrogancës…, apo qytetarët janë të zhgënjyer dhe po i bashkohen çdo tubimi kundër qeverisjes?
Sigurisht që Shqipëria ka halle e probleme, ka edhe njerëz të pakënaqur, pasi kjo është normale edhe në çdo vend tjetër demokratik. Sado që të bëjnë qeveritë, gjithmonë ka e do të ketë probleme për t’u adresuar e zgjidhur. Njerëz të pakënaqur do të gjesh edhe në vendet më të zhvilluara e më të fuqishme se ne, nga SHBA e deri në Europë. Do t’i gjesh edhe në Francë, edhe në Britani, edhe në Itali, e jo më në Ballkan, e kudo tjetër. Sepse është në natyrën njerëzore që të kërkojë gjithmonë e më shumë dhe kjo është një e drejtë natyrore e qytetarëve. Me këtë nuk dua të them se nuk ka probleme emergjente për të zgjidhur edhe se nuk ka korrupsion. Askush nuk e thotë këtë. Qeveritë nuk maten me shkallën e akuzave që bëjnë ndaj saj opozita apo mediat kritike me të. Por me përgjegjshmërinë për të përballuar sa më shpejt e sa më mirë situatat, për t’i zgjidhur problemet e hallet e njerëzve dhe për t’iu shërbyer sa më mirë qytetarëve të vet. Kërkesat e drejta të studentëve të vërtetë që protestuan në fillim të dhjetorit, janë adresuar tashmë. Disa janë zgjidhur. Të tjera po zgjidhen. “Pakti për Universitetin” u jep mundësi të gjitha zgjidhjeve në kohë dhe hapësirë. E njëjta gjë edhe për hallin e vërtetë të banorëve të Unazës së Re të Tiranës, e kështu me radhë. Për sa u përket protestave qoftë ajo e 16 shkurtit në bulevard e qoftë ajo e të enjtes së 21 shkurtit para Parlamentit, nuk kanë qenë tubime popullore, por organizime partiake të opozitës. Nëse do ishte ndryshe, partitë nuk kanë pse caktojnë data, orë, vende proteste. Nuk kanë pse bëjnë thirrje publike e mediatike. Nuk kanë pse kyçin të gjitha bashkitë e vendit që drejtohen nga opozita, për të sjellë administratën e tyre në Tiranë. Pa llogaritur këtu militantët dhe drejtuesit e strukturave partiake.
Opozita, bashkë me aktin e djegies së mandateve, ka lënë në “tavolinë” edhe kërkesën për krijimin e një qeverie kalimtare (teknike) dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se ky opsion do të jetë i mundshëm dhe qeveria Rama do e marrë në konsideratë për shkak të situatës së krijuar?
Opozitat në të gjitha vendet me demokraci funksionale dhe në të gjitha kohërat, që të nesërmen që humbin zgjedhjet dhe shndërrohen në minoranca për shkak të votës së qytetarëve, kërkojnë të rikthehen në pushtet. Kjo është dëshirë e natyrshme. Por loja demokratike ka disa rregulla të patjetërsueshëm që e mbajnë sistemin në këmbë. Edhe demokracia në Shqipëri, me gjithë problemet e saj në këta 30 vjet, na ka mësuar se: Kurrë nuk mund të vihet në pushtet me dhunë. Kurrë nuk mund të vihet në pushtet me protesta. Por këtë ta garantojnë vetëm zgjedhjet. Nga viti 1997 e deri më sot, kanë kaluar 22 vjet. Vendi ka shkuar në zgjedhje parlamentare, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, 1 herë në 4 vjet. Rrotacionet e pushtetit çdo 8 vjet, janë bërë në mënyrë demokratike. Fakti se vendi e ka kaluar prej kohësh rrotacionin e pushtetit, dy herë radhazi njëra pas tjetrës nga një palë te tjetra dhe anasjelltas, do të thotë që ka hyrë në normalitet demokratik. Ndaj, opozita duhet të ketë durimin që të presë 2021, për zgjedhjet e radhës. Nëse pranohet kjo që kërkon opozita, krijohet një precedent tejet i rrezikshëm për demokracinë, jo vetëm në Shqipëri. Sepse nëse për një moment e besojmë se Rama e PS do pranojnë që vendi pas kësaj të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe opozita vjen në pushtet, atëherë çfarë ndodh? Me anë të këtij precedenti të pranuar, sipas logjikës së Bashës e Kryemadhit, PS kalon në opozitë. Pas kësaj, edhe asaj i lind e drejta në çdo kohë që të dorëzojë mandatet e deputetëve të saj dhe vendi të hyjë sërish në zgjedhje të parakohshme. E kështu pambarimisht. Ku shkojmë në këtë rrugë? Çfarë ka përpara këtij monapati të errët? Thjesht e shkurt: Shqipëria bëhet në këtë mënyrë një vend përjetësisht i paqeverisshëm. Kush mund ta pranojë këtë? Edhe nëse e lejon PS dhe Edi Rama, nuk kanë për të na e pranuar kurrë ndërkombëtarët. Sepse ky precedent mund të eksportohet fare lehtë në epokën e sotme edhe në vendet e tyre. Kështu Europa e Bota demokratike do shndërroheshin në gjithçka tjetër, përveç kësaj që janë sot. Shqipëria nuk është shquar ndonjëherë si laborator për shpikje të reja në dobi të sistemit demokratik europian apo botëror. Ndaj, askush nuk mund ta pranojë eksperimentin që kërkon të imponojë tani opozita jonë. Në këtë mënyrë, duke dashur që ta vendosin Edi Ramën në cepin e ringut pa i dhënë asnjë rrugëdalje, opozita është vendosur pa kuptuar përballë arbitrit ndërkombëtar. Ndaj, Edi Rama sot është më i qetë se dje.
Faktori ndërkombëtar deri më tani i ka kërkuar opozitës të mos djegë mandatet në bllok dhe të distancohet nga çdo akt dhune. Ky “sugjerim” ndërkombëtar si mund të lexohet? Ka zëra se ky akt i opozitës mund të çojë në “asgjësimin politik” të saj, por kjo nismë ekstreme, a mund të marrë përpara edhe qeverinë dhe Edi Ramën?
Është fatkeqësi që opozita jonë, nuk ka mësuar nga historia. PD e LSI duan të sfidojnë sistemin, duke dalë prej tij. E më pas, të rikthehen për ta qeverisur atë. Kjo është thjesht një utopi. Me dorëzimin e mandateve të deputetëve, opozita jonë thjesht hodhi veten në erë politikisht, duke u vetasgjësuar. Ndaj, kjo e bën PS e qeverinë e saj dhe më të përgjegjshme për fatet e demokracisë, opozitarëve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë në tërësi. Anomalia e krijuar artificialisht nga opozita, e obligon mazhorancën të ngrihet si kurrë më parë, në lartësinë e përgjegjësisë që ka sjellë ky moment. Kjo situatë kalohet me qetësi, kthjelltësi, maturi, përulësi dhe vendosmëri. Besoj se këtë do të bëjnë PS edhe më mirë tani e tutje, bashkë me qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama.