Biznesmeni Armandi Nelaj ndërroi jetë më 24 qershor pas një shpërthimi që tronditi Portin e Sarandës. Ngjarja u mbush plot me mister. Fillimisht u dyshua se ishte një polumbar të cilit i kishte shpërthyer bombola e oksigjenit, më pas hetimet e policisë u përqendruan drejt pistës së një atentati ndaj biznesmenit 52-vjeçar.
Një muaj më pas, Policia e Sarandës zbardh ngjarjen e rëndë duke i thënë fund misterit. Sipas Policisë, Nelaj ka humbur jetën pas shpërthimit të një tritoli, por në fakt ndaj tij nuk ishte planifikuar atentat. Nelaj bashkë me mikun e tij, Eridion Muho kishin planifikuar që t’i vendosnin tritol një anije turistike, ‘Finikas Lines’, për motive konkurrence.
Të dy mbrëmjen e 24 qershorit 2024 morën lëndën eksplozive, hipën në një varkë të vogël dhe u nisën nisur drejt anijes ‘Finikas Lines’. Por, plani nuk u ka shkuar siç duhet, pasi tritoli ka shpërthyer aksidentalisht gjatë tentativës për ta transportuar e vënë në anije, duke i marrë jetën fatkeqësisht biznesmenit Nelaj.
Në pranga shoku i tij Erdion Muho.
“Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi Erdion Muho, 35 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Armandi Nelaj kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armandi Nelaj”, njoftoi policia më 29 korrik 2024.