Deputetja e PD-së, Ina Zhupa kundërshton miratimin e hartës së re gjyqësore, pasi, sipas saj, rrezikon ta çojë në kolaps gjyqësorin.
Me mbylljen e gjykatave në disa qytete të vendit, Zhupa argumenton se do të shkaktohet rritja e shpenzimeve për qytetarët, por edhe rritja e kostos së shërbimeve nga avokatët.
“Harta gjyqësore që mbyll 18 gjykata, pa asnjë studim, duke demtuar aksesin në drejtësi, dhënien e drejtësise, rritur kostot e qytetarëve, NUK DUHET të miratohet. Avokatët e Vlorës i janë bashkuar bojkotit, duke theksuar se harta e re e çon sistemin e drejtësisë drejt kolapsit. Vetëm sot në Vlorë janë pezulluar 60 seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë, 40 në Gjykatën e Apelit dhe 24 në atë Administrative. Avokatët e Sarandës kundërshtojnë shkrirjen e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Administrative në Gjirokastër. Shkrirja e këtyre gjykatave dhe zhvendosja drejt Tiranës dhe Lushnjës do të sjellë edhe rritjen e kostove për qytetarët Avokatët shprehen se gjyqësori do kalojë në kolaps. Do duhen vite për një seancë. Sa kohë e lekë i duhen një qytetari nga Saranda të shkoj në Tiranë për cdo seancë? 5 gjykata Apeli do të mbyllen, dhe si rrjedhim aksesi/koha/shpenzimet e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria do të rëndojë në xhepat e qytetarëve. 4 gjykata administrative do të mbyllen, dhe si rrjedhim aksesi/koha/shpenzimet do të rriten për qytetarët. 9 gjykata të shkallës së parë, të Pogradecit, Lushnjës, Përmetit, Kavajës, Krujës, Kurbinit, Matit, Pukës dhe Tropojës do të mbyllen. Qytetarëve dhe avokatëve të qyteteve që preken do iu rriten shpenzimet/kostot e shërbimeve për të marrë drejtësi.”