Policia e Sarandës thotë se ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Sipas policisë 4 persona janë vënë në pranga pasi do të merrnin peng një 49-vjeç. Në pranga kanë rënë Juljan e Sandri Brinja, Gjergji Prenga dhe Angelos Tsimperis. Në makinën e 4 të rinjve u gjet një pistoletë.
”Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjeti dhe lidhëse plastike që do të përdoreshin për këtë ngjarje. Falë inteligjencës policore dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura së fundi dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të mundshme kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, duke vlerësuar edhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.
Ditën e djeshme, në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas adiministrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjerë shtetasit J. B. dhe S. B. (vëllezër) dhe Gj. P.
Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit ku qëndronte shtetasi J. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit J. B., 28 vjeç, S. B., 27 vjeç, A. T., 20 vjeç dhe Gj. P., 29 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”. Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta”,-njofton policia.