O Hyj
Diku sonte ka njerëz që po mbarojnë ditët e tyre e po lënë këtë tokë. Qëndroji pranë në çastin e tyre të mbramë e prite ti frymën e tyre të fundit në duart e tua atërore.
Diku tjetër po mbaron dita, e shumë njerëz po i gëzohen vatrës së tyre familjare. Shtojua gëzimin e zemrës.
Diku tjetër mbrëmja ka sjellë dhimbje dhe vuajtje, për shkak të një dështimi, të një sëmundjeje, të një vdekjeje të papritur, të një dhune të ushtruar. Lehtësojua o Zot dhimbjen e qëndroju pranë në orën e tyre të Kalvarit.
Diku tjetër në këtë glob njerëzit po zgjohen për të filluar një ditë të re plot me dëshira dhe shpresa. Shoqëroji që mbrëmja e tyre mos të jetë një zhgënjim.
Diku tjetër po flenë, sidomos fëmijët dhe të moshuarit. Jeto në ëndërrat e tyre o Hyj që edhe aty të ndjejnë praninë tënde plot dashuri.
Diku tjetër ka njerëz të vetmuar. Bëju shok e mik ashtu si vetëm ti di o Hyj.
Ja tani edhe unë, meshtar i yti, po të ofroj çdo njeri, gëzimet dhe dhimbjet e tyre edhe ato që mund të kem shkaktuar unë. E po ashtu dhe të miat t’i lartësoj o Hyj dhe gjithçka dorëzoj në ty.
Nëse diçka të mirë kam bërë sot: faleminderit Ty.
Nëse diçka nuk e kam bërë mirë: ki mëshirë për mua!