Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta përmes një mesazhi postuar në rrjetet sociale ka uruar kryepeshkopin e ri Joan Pelushi për zgjedhjen e tij nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, dom Gjergj Meta shkruan se “janë ende të freskëta në secilin prej nesh ditët që shoqëruam me lutje, në sëmundje dhe në momentin e fjetjes me Zotin, Fortlumturinë e Tij, Anastasi”
“Figura e tij është dhe mbetet një gurthemeli, jo vetëm për Kishën Orthodhokse, por për të gjithë kombin tonë e për bashkësitë fetare në vend.
Tani Kisha Orthodhokse ka një Barit të ri e ne të gjithë kemi fituar një bashkëudhëtar tjetër në rrugën e dialogut ndërfetar në vendin tonë. E lusim Hyji, që të qëndrojë gjithmonë mbi Ju e të jeni një Bari i mirë për besimtarët orthodhoksë e një zë i fuqishëm e bashkëpunues me të gjithë faktorët fetarë e civilë të shoqërisë tonë.
Po ashtu presim me padurim që të vazhdojmë së bashku punën në rrugën e dialogut dhe të harmonisë midis besimeve fetare në Shqipëri në kuadër dhe të rolit tuaj të ri si anëtar i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Zoti ju bekoftë”, thuhet në mesazhin e dom Gjergj Meta, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.