Reperi i njohur si Don Xhoni, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi, është ndaluar këtë të hënë nga shërbimet policore të Kosovës.
Policia ka kontrolluar makinën ku ndodhej reperi dhe pas kontrollit ai është shoqëruar në stacionin më të afërt policor. Dyshohet se një armë është gjetur gjatë kontrollit teksa theksojmë se nuk ka ende asnjë reagim zyrtar.
“Sot rreth orës 15:15, në rrugën “Tahir Zajmi” në Prishtinë, pas një kontrolli të detajuar të ushtruar ndaj një personi, policia ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë një revole të tipit Zastava, kalibër 7.65 mm, si dhe gjashtë copë fishekë, kalibër 7.65 mm. I dyshuari Xh. I, mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është shoqëruar në stacionin policor, për t’u proceduar më tej, konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit”, thuhet në njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që Don Xhoni ka probleme me Policinë e Kosovës. Disa muaj më parë, reperi u arrestua sërish për armëmbajtje pa leje.