Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela do të përballet sot me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela do të përballet të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Prelën është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.
Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.