Pas dy vitesh në krye të detyrës, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë dorëheqjen, duke i hapur rrugë hapjes së garës për kreun e ri të bluve. Lajmi u konfirmua nga mediat mbrëmjen e djeshme. Mësohet se kompetencat i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë, në bazë të ligjit të ri.
Ndërkohë, ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do të mbledhë sot në orën 10:00 të gjithë vartësit e tij, drejtorët e policisë së qarqeve, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit si edhe drejtorët e departamenteve. Në mbledhje pritet të jetë edhe Rrumbullaku, ndonëse tashmë e ka dorëzuar dorëheqjen.
Hoxha që prej 28 korrikut, kur Rama e propozoi si ministër të Brendshëm, nuk ka pasur dalje publike dhe shumë pak reagime në rrjetet sociale. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet ligji i ri i policisë, kryesisht për procedurën e përzgjedhjes së kreut të policisë, drejtorëve vendorë. Këto pozicione me ligjin e ri do të përzgjidhen me komision.
Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, ndërsa zëvendësoi në këtë post Gledis Nanon, i cili u shkarkua nga kjo detyrë. Më parë Rrumbullaku ka qenë drejtues i SHÇBA-së, e transformuar në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.