Nga Elmas Bogdani
Gazeta “SOT” sjell të tjera detaje nga dosja voluminoze e aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për të cilin SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ për Sali Berishën dhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Ndërsa i gjithë shteti ishte vënë në shërbim të Sali Berishës dhe familjarëve të tij për këtë aferë, i vetmi zyrtar që kundërshtoi makinerinë e kryeministrit të asaj kohe ishte gjenerali Vladimir Qirjazi, i cili doli hapur kundër privatizimit të kompleksit Partizani. Kjo gjë faktohet dhe në dosjen e SPAK.
Detajet nga dosja
“Shtetasi Sali Berisha, gjithashtu ka shfrytëzuar funksionin e vet, me qëllim detyrimin e Komandantit të Komandës Mbështetëse për të marrë në dorëzim pronën nr 11, Klubi i Futbollit Partizani dhe lidhjen e kontratës së shitjes. Me dt 16.04.2009, Kryeministri Sali Berisha, nxjerr urdhrin Nr. 1289 Prot “Mbi kontrollin tematik në Ministrinë e Mbrojtjes, mbi zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative për dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës me Nr.11, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes”.
Drejtori Oerd Bylykbashi, mbështetur në konceptimin e bërë nga shtetasi Ilir Kadiu, ka përgatitur programin e kontrollit me nr. 1289 prot dt 16.04.2009, i cili në vijim rezulton të jetë miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm Gjergj Lezhja. Më dt 24.04.2009 shtetasi Gjergj Lezhja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i ka kërkuar shtetasit Vladimir Qiriazit, të verë në dispozicion të grupit të kontrollit, praktikën në lidhje me pronën, në kuadër të kontrollit. Inspektorët e Departamentit Antikorrupsion pranë Kryeministrisë, shtetasit Ilir Kadiu dhe Saimir Struga, mbajnë aktin e kontrollit dt 04.05.2009 gjejnë përgjegjës shtetasin Vladimir Qiriazi… çka ngarkon me përgjegjësi Vladimir Qiriazin… Komanda Mbështetëse… duhej të kishte dorëzuar objektin brenda afateve ligjore… Me dt. 19.05.2009 Këshilli i Ministrave e konkretisht Sekretari i Përgjithshëm Gjergj Lezhja (konc nga Ilir Kadiu dhe nënshkruar nga drejtori Oerd Bylykbashi), ka dërguar raportin e kontrollit pranë Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe Komandantit Vladimir Qiriazi, rekomandojnë:
Komanda Mbështetëse… të përfundojë procedurat e dorëzimit të pronës nr. 11 brenda 5 ditëve. Ministri i Mbrojtjes të fillojë menjëherë procedurat disiplinore për Vladimir Qiriazi…për zbatimin e rekomandimeve…. të njoftohet zyrtarisht Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave brenda 10 ditëve. (tërheq vëmendjen në këtë shkresë përmendja e fjalëve “uzurpatore” për personat që kanë shfrytëzojnë ambientet e klubit të futbollit Partizani, që është i njëjti term i përdorur nga shtetasit Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi në aktet që mban studio Pustina)”, thuhet në dosjen e SPAK.
Kërcënimi
Në dosjen e SPAK për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, Qirjazi ka deklaruar se ministri Oketa i ka kërkuar të firmosë, por nuk ia kishte sqaruar se nga kush vinte kjo kërkesë. Madje Oketa e kishte paralajmëruar gjeneralin se mund të merreshin masa ndaj tij nëse nuk e hidhte firmën për urdhrin nr. 334 datë 13.03.2009 “Për dorëzim prone e lidhje kontrate” për pronën nr. 11, ish-kompleksi sportiv Partizani. “Me dt 26.03.2009 shtetasit Vladimir Qiriazi me telefon i është kërkuar zbatimi me urgjencë i urdhërit nr. 334 dt 13.03.2009 “Për dorëzim prone e lidhje kontrate” për pronën nr. 11….
Ndjehet i shqetësuar për mënyrën se si i kërkohet kjo firmosje ndaj dhe kërkon mendimin e tij. Me dt 31.03.2009 Drejtori i DMIBM shtetasi Ardian Shashaj i dërgon dy shkresa Komandës Mbështetëse duke bërë me dije edhe Ministrin e Mbrojtjes Gazmend Oketa, Sekretarin e Përgjithshëm Fiqiri Kupe dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj. Në këto shkresa i tërhiqet vëmendje Komandës Mbështetëse për sjelljen e saj. Me dt 31 mars 2009 shtetasi Vladimir Qiriazi është thirrur në takim nga Ministri i Mbrojtjes z. Gazmend Oketa….Në takim i cili zgjati një orë e gjysëm, Ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar të firmosja kontratën e privatizimit….Në takim ka ardhur edhe Sekretari i Përgjithshëm z Fiqiri Kupe,… Në dt 01.04.2009, Sekretari i Përgjithshëm Fiqiri Kupe, e ka thirrur në takim me Ministrin e Mbrojtjes, shtetasin Vladimir Qiriazi, ku të pranishëm kanë qenë personeli i DMIBM…Ardian Shashaj, Roland Llazari dhe Erinda Ndroqi, sekretari i Përgjithshëm Z. Fiqiri Kupe dhe Drejtori i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes z. Besnik Dervishi.
Në këtë takim, shtetasi Vladimir Qiriazi tregon për presionin e bërë për marrjen në dorëzim të pronës. Ministri i Mbrojtjes largoi ekipin e DMIBM-së dhe qëndruan aty sekretari e drejtori…. Pas insistimit të Drejtorit të Kabinetit se duhej që të firmoste shtetasi Vladimir Qiriazi, i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes dhe i ka thënë, Ministër unë mendoj se drejtori juaj i kabinetit është shumë më afër përfaqësimit tuaj në këtë problem se sa jam unë, ndaj autorizoni atë për ta firmosur Debati u nxeh dhe pastaj Ministri i Mbrojtjes, nxori jashtë ata dhe qëndruan bashkë. Ministri i kërkoi se Vladimiri duhej të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij….. ka thënë se kjo punë mund të shkojë deri në masë..”.
Si e shkarkuan
Me dekret të Presidentit Topi nr. 6231, datë 2 shtator 2009, Qirjazi shkarkohet dhe në vend të tij me dekret 6291 datë 7 tetor 2009 emërohet në pozicionin e Komandantit të Komandës Mbështetëse, gjeneral Xhemal Gjunkshi. Gjunkshi i gatshëm për t’u bindur urdhrave dhe për të nënshkruar menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim merr gjithçka në dorë. Në vetëm 24 orë bën plot 5 veprime. Vetëm një javë pas emërimit, më datë 15 tetor 2009, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Arben Imami autorizon Xhemal Gjunkshin si kompetent për shitjen e pronës. Pa kaluar 24 orë, Gjunkshi kalon të gjitha procedurat që ishin të pamundura të kryheshin prej 3 vitesh nga Qirjazi.
Emaili përvëlues
Nga ana tjetër, një vend të rëndësishëm në dosjen prej 500 faqesh të SPAK për aferën Partizani e zë dhe hetimi për Gëzim Begejan, alias Xhimi Begeja. Ky i fundit është kushëriri i parë nga ana e mamasë i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Gëzim Begeja është një nga nismëtarët e projektit të marrjes së tokave të ish-klubit Partizani dhe bashkë me Fatmir Bektashin, Jamarbër Malltezin është një prej 3 ortakëve të firmës Homeplan sh.p.k e ngritur pikërisht me qëllimin e realizimit të marrjes së tokës dhe godinave në ish-klubin Partizani, ndryshimin e destinacionit të atyre terreneve dhe godinave përmes korrupsionit të administratës shtetërore dhe favorizimeve të drejtpërdrejta të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ndërtimin më pas të 19 kullave me dhjetëra apartamente për të përfituar nga shitja e tyre shuma të konsiderueshme monetare. Gëzim Begeja, alias Xhimi, është personi, i cili për shumë vite ka mbuluar aktivitetin e Jamarbër Malltezit për ish-klubin Partizani, duke kryer të gjitha veprimet, deri në daljen në skenë zyrtarisht të dhëndrit.
Në një e-mail që Begeja i ka çuar studios ligjore që ka bërë procedurat e privatizimit, e cila përmendet e dosjen e SPAK , pranon se vajza dhe dhëndri i Berishës janë përpjekur pa fund që bashkëortakët të marrin pronat, duke ndërhyrë te kryeministri i kohës për t’i favorizuar. Mësohet se nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se mes mes tjerash, në e-mail Xhimi Begeja shpreh pakënaqësinë e tij se disa shuma parash nuk i kanë kaluar në llogari. “Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja ligjore dhe financiare e kontratave tona. Nuk kam qenë pengesë që në fillim të firmosja një ‘letër të bardhë’ sepse e konsideroje veten turp po të mos ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes, nuk ka pas edhe nuk ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar e nuk do ta shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, por aq më tepër ne i kemi borxh të madh Familjes Berisha, për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë. (shtetasi Xhim Begeja me shprehjet Gocë e Familjes dhe Familjes Berisha, i shkruan me shkronja të mëdha, duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha”, shkruan SPAK.