Kreu i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen pas skandalit me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha po ashtu theksoi se ka ministra në qeverinë Rama që duan të japin dorëheqjen për shkak të kontakteve që kanë patur me McGonigal.
“I bëj thirrje Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar që të japin dorëheqjen menjëherë. Di që ka ministra të cilët kanë paraqitur dorëheqjen, për shkak të kontakteve që ata kanë patur me McGonigal”,-tha Berisha. Po ashtu Berisha kishte në duar një dokument që, sipas tij, është publikuar nga Business Insider në shtator të vitit 2022.
“Është dokumenti që fakton se gjykata e SHBA, Juria e Madhe me 24 vetë, është juria më e madhe për çështjet më sensitive, ka autorizuar prokurorin, ka paraqitur këto kërkesa që i ka miratuar Juria e Madhe për të hetuar, për të nisur hetimin për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Prokurori ka marrë autorizimin e gjykatës. Të gjithë ata që thonë se nuk është nën hetim, mashtrojnë më mënyrë të paskrupullt”,-u shpreh ish-kryeministri.