Shpëtim Lika, ish-funksionar i PD në bashkinë e Burrelit dhe ish-kryetari i degës së PD në Komunën Rukaj, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e “Kultivimit të narkotikeve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Prodhimit dhe shitjes se narkotikëve”.
Vendimi për dërgimin e dosjes së tij në gjyq është marrë pak ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë së bashku me Likën i pandehur është marrë dhe Marko Bushi nga Burreli i cili në 2017 kanosi me kallashnikov policinë dhe prokurorin e Rrethit, të cilët ishin duke shkuar në një nga parcelat e mbjella me hashash në këtë zonë.
Mësohet se Shpëtim Lika me herët, ka qënë edhe këshilltar i PD ne keshillin komunal të ish-komunës Rukaj. Shpëtim Lika dhe Bushi akuzohen për një sasi droge 3 ton e 52 kg e llojit hashash, e cila u sekuestrua nga forcat e rendit të komisariatit Burrel, pas një operacioni të gjerë kundër drogës në këtë zonë. Policët e gjetën drogën në një magazinë, në fshatin Rremull. / Report Tv