Kryeprokurorja Arta Marku ka paraqitur në komisionin parlamentar të ligjeve raportin për vitin 2018. Ajo tha se prioritet për 2019-tën është integriteti i prokurorëve dhe forcimi i kapaciteteve, por deputetët e kanë pyetur për çështje konkrete.
Myslim Murrizi ka kërkuar të dijë zhvillimet për Dosjen “339”, për të cilën Marku tha se shumë shpejt do të ketë rezultate dhe do të publikohen.
Ndërsa deputeti i PD-së, Lefter Maliqi e ka pyetur konkretisht për vrasjen e bankierit Artan Santo dhe dosjet për blerjen e votave. Por pas Maliqit ka ndërhyrë Spartak Braho duke kërkuar që kryeprokurorja të mos japë detaje për dosje që janë në hetim.
“Për vrasjen e Santos, kjo është një cështje jashtë periudhës për të cilën po raportojmë dhe është një çështje konkrete, për të cilën unë nuk jap të dhëna konkrete”- tha ajo.
Lidhur me dosjet e përgjimeve, Marku deklaroi: “Përgjimet, vazhdojnë të jenë në hetim. E kam shprehur disa herë, që aty ka problematikë, dosjet janë zvarritur, ka pasur vetëm përgjime, që nuk janë zbardhur dhe nëse nuk bëhen janë të palexueshme. Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë, aty ka video të patranskriptuara, por do ketë vendimmarrje. Dosja 184 në të njëjtën gjendje, e regjistruar 2 vjet vetëm përgjime. Pas dy vjetëve janë regjistruar emrat e disa personave në hetim, do të ketë vendimmarrje të shpejtë”- tha ajo.