Mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa raportoi drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, SHISH, Vlora Hyseni. Vetëm me votat e socialistëve u miratua kërkesa e Hysenit për mbledhje të mbyllur me argumentin se informacionet përbëjnë sekret. Nga ana tjetër, opozita kërkoi mbledhje me dyer të hapura. Në nisje të mbledhjes palët u përfshinë nga një debat për shkak të mungesës së Hysenit në mbledhjen e kaluar të 26 qershorit, pasi ndodhej në Bruksel për takime në selinë qendrore të NATO-s. Vetë Hyseni u kujdes të sqarojë arsyet e mungesës, duke hedhur poshtë këtu deklaratat e kryetarit Ervin Salianji se ndodhej në Beograd. “E kishim të pamundur paraqitjen në datë 26 për shkak të një angazhimi të detyrueshëm të konfirmuar muaj më parë, lidhej me dy arsye madhore, takimi me asistentin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën për të diskutuar për çështje të sigurisë rajonale dhe për të diskutuar për angazhimin e SHISH në kuadër të inteligjencës së NATO-s. Një angazhim tjetër ishte paraqitja e drejtorit të SHISH në samitin e NATO-s në Uashington që pritet të mbahet me 10 korrik. Në asnjë rast SHISH apo drejtori nuk i është shmangur raportimit para komisionit. Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara”, deklaroi Hyseni.
Detajet
Më pas e mori fjalën Salinji, i cili kundërshtoi kërkesën e mazhorancës. Ju jeni sot këtu dhe s’kemi ç’të themi më shumë, përveçse se nga çfarë kemi parë nga dokumentacioni i deritanishëm që disponojmë në raport me çështjen, nuk shoh asnjë element që të përbëje sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë vetëm me aspekte procedurale dhe aspekte që janë zbuluar në publik, propozoj që mbledhja të bëhet e hapur, në çdo rast që ka informacion të klasifikuar drejtoresha mund të kërkojë mbledhje me dyer të mbyllura”, tha Salianji. Nga ana tjetër, deputeti socialit, Xhemal Qefalia kërkoi nga Salianji një ndjesë publike për akuzën që i bëri Hysenit, por ligjvënësi demokrat u përgjigj duke e ‘këshilluar’ që të mos bëjë mbrojtjen e SHISH. “Duhet ta fillosh mbledhjen me një ndjesë publike për kauzat që bëtë ndaj drejtueses së Shërbimit duke e ngatërruar qëllimisht vendin e saj të takimit, nga Brukseli në Beograd”, tha Qefalia, të cilit iu përgjigj Salianji. “Nuk i shkon formatit tënd që të bëhesh mbrojtës apo të bësh si punonjës i SHISH se nuk je tipikisht si punonjës i shërbimeve inteligjente”, tha Salianji. Edhe dëshmia e Florian Sulejmanit, Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me kërkesë të tij dhe me votat e socialistëve u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa e njëjta kërkesë e ish-kreut të AMP Ardi Veliu ngjalli debate të forta. Shkak u bë objekti i kërkesës së depozituar nga Veliu, ndërsa tonet mes tij dhe Ervin Salianjit ashpërsuan deri në ofendime. “Ti je lesh I tërë në këtë rast. Ti je kokë e këmbë lesh. Nëse ti je analfabet nuk e kemi fajin ne. Përpara meje e këtij komisioni rri me qetësi, drejtoju e përgjigju”, tha Salianji.
Përplasjet
Kryetari i Komisionit hetimor të TIMS, Ervin Salianji kaloi në përdorimin e gjuhës ofenduese në seancën ku ishte ftuar për të dëshmuar ish drejtori i AMP-se, Ardi Veliu. E gjitha nisi nga titulli i kërkesës depozituar në komision ku shkruhej “kërkesë për informacion”.
Ardi Veliu: “Të dhënat janë sensitive, që kanë të bëjnë me të dhëna personale, aplikacione e sisteme të cilat në vlerësimin tim profesional është mirë të ruhet konfidencialiteti dhe të mos bëhen pjesë e opinionit publik. Mos bërja publike do i shërbejë forcimit të sigurisë kombëtare’
Ervin Salianji: “Pse problem është bërja publike apo vjedhja e të dhënave. Ku ka ngelur gjë pa dalë në këtë shteti. Keni shkruar kërkesë për informacion
Ardi Veliu kërkoi të dëshmojë pa mediat pasi tha se kemi të bëjmë me të dhëna që është mirë të ruhet konfidencialiteti. Deputeti Qefalia i doli në krah Veliut duke i thënë Salianjit, se veprimet e tij ishin tendencioze. Kjo ka shkaktua debat deri dhe në përdorimin e gjuhës ofenduese.
Pjesë nga debati
Xhemal Qefalia: “Po më duket tendencioze. Sepse kërkesa e sjellë nga një dëshmitar mban po të njëjtën lëndë. Zoti kryetar kjo është tendencioze
Lefter Gështenja: Një përfaqësues i drejtorisë së policisë thotë ‘kërkesë për informacion’. Duket që këto kërkesa realizohen në një kompjuter dhe nuk ndryshojnë titullin e lëndës
Ervin Salianji: Pse ne e kemi fajin që s’dinë të shkruajnë drejtuesit e policisë?! Qenka bërë disa raste që qenkan të paaftë drejtuesit e policisë të hartojnë një shkresë dhe duan të luftojnë krimin?!
Ardi Veliu: Nuk kam ardhur të tallesh as ti askush këtu.
Ervin Salianji: Nuk e keni fjalën ju. Kur ta keni fjalën. Atëherë do të flasësh
Ardi Veliu flet pa mikrofon
Ervin Salianji: Zoti Qefalia do ta ketë ngaqë ka dyshim që dini të shkruani apo të lexoni. Me këtë gjuhë fol ndonjë vend tjetër. Bëjeni diku tjetër ku jeni mësuar. Kur e drejtoj unë komisionin nuk e bën dot.
Ardi Veliu flet pa mikrofon
Ervin Salianji: Ti je lesh I tërë në këtë rast. Ti je kokë e këmbë lesh. Nëse ti je analfabet nuk e kemi fajin ne. Përpara meje e këtij komisioni rri me qetësi, drejtoju e përgjigju.
Lefter Gështenja: Nuk kuptoj pozicion që kanë mbajtur në institucionet shtetërore dhe keni lejuar që në TIMS, keni lejuar që të punësojnë njerëz në nivele të larta pa certifikata sigurie, vini këtu na thoni që janë të dhëna sensitive, ca të dhënash flasim, ndërkohë që me ligj kjo mazhorancë e ka përjashtuar sistemin TIMS nga përbërja sekret hetimor apo konfidenciale.
Të fundit
Postime te ngjashme
Add A Comment