Në një periudhë të rëndësishme për politikën shqiptare, Partia Demokratike po përballet me një krizë të brendshme që ka tronditur strukturat e saj dhe ka ngritur shqetësime për të ardhmen e partisë. Tensionet kanë arritur kulmin pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së PD, ku u caktuan drejtuesit politikë në qarqe, teksa shumë besnikë të Sali Berishës u zëvendësuan nga Gazment Bardhi dhe deputetë pranë tij. Kështu në qarkun e Lezhës, në zgjedhjet e fundit drejtuese politike ishte Jozefina Topalli. Ish-nënkryetarja e demokratëve tashmë nuk e ka më këtë pozicion dhe në vend të saj është emëruar dje Agron Gjekmarkaj. E njëjta gjë ka ndodhur me Korçën ku Edmond Spaho drejtoi fushatën në zgjedhjet e fundit dhe ishte nga deputetët që u pozicionua që në fillim në krah të Sali Berishës.
Ai largohet për t’i lënë vendin Ivi Kasos. Në Berat është larguar Tomorr Alizoti, edhe ky një mbështetës i kryetarit të Partisë Demokratike dhe vendin e tij e ka zënë Eno Bozdo, ndërsa në Fier Luan Baçi, megjithë kundërshtitë e tij të forta, është detyruar t’i hapë krahun Gazment Bardhit. E njëjta logjikë është ndjekur edhe në qarkun e Kukësit, ku Isuf Çela i ka lënë vendin deputetit Flamur Hoxha. Por megjithëse ata do të drejtojnë grupin e kandidatëve për deputetë në fushatë, kryetari i PD-së, Sali Berisha u kujdes të thotë se lista përfundimtare e kandidatëve do të hartohet mbi rezultatin e primareve që do të zhvillohen dhe asnjë prej tyre nuk e ka vendin e sigurt. Mirëpo në këtë listë bie në sy fakti se disa prej mbështetësve të Sali Berishës që në ditët e para kur nisi lëvizjen për t’i rimarrë partinë Lulzim Bashës, tashmë e shohin veten jashtë.
Detaje nga mbledhje e Kryesisë
Mësohet se Baçi dhe Spaho kanë shprehur pakënaqësi në mbledhjen e Kryesisë që u zhvillua dy ditë më parë me dyer të mbyllura. Kjo ka bërë që deputeti i Fierit të largohet nga mbledhja. Baçi u shfaq në një emision ku u shpreh se emrat ishin të paracaktuar. Sipas tij është anormale që emrat dalin që disa ditë në media, ende pa marrë vendim Kryesia. Duhet theksuar se Baçi u shfaq kritik edhe pak ditë më parë. Po ashtu në krah të tyre ka dalë Edith Harxhi. Kjo e fundit dhe disa të tjerë kanë goditur Bardhin, duke e akuzuar se nuk ka bërë asnjë hap në mbrojtje të Berishës. Ajo ka kritikuar listën e drejtuesve politikë të qarqeve, duke theksuar se është turp që nuk ka të paktën një qark me një drejtuese grua.
“Është për të ardhur turp, që gjithë kjo parti nuk ka një zonjë për të drejtuar një qark. Jemi kthyer në parti burrash, jemi bërë për turp”, tha Harxhi. Më pas ju drejtua Bardhit: “Përse nuk keni bërë asnjë lëvizje apo aksion si grup parlamentar për lirimin e liderit të Partisë Demokratike? Nuk mund të mjaftohemi me dy letra kancelarive. Duhet një aksion, lideri i partisë po mbahet politikisht në arrest shtëpie”. Në të njëjtën linjë me të kanë qenë dhe disa besnikë të tjerë të Berishës, të cilët kërkojnë që aksioni opozitar të fokusohet te “mbajtja pa të drejtë e kryetarit në izolim”.
Reagon Vokshi
Ndërkohë deputetja e PD, Albana Vokshi, njëherësh edhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, ka thënë ndihej e keqardhur që në emrat e prezantuar ditën e djeshme si drejtues politikë të qarqeve, nuk kishte asnjë grua. Komentet Vokshi i bëri dje në një media, ku tha se pavarësisht kësaj, kishte bindjen se drejtuesit politikë të qarqeve do të bënin një fushatë model në zonat ku ishin caktuar. Ajo tha gjithashtu se në mbledhjen e Kryesisë gjatë ditës së djeshme do të kenë një rol të rëndësishëm Forumi Rinor i PD dhe Lidhja Demokratike e Gruas.
“Drejtuesit politikë të qarqeve janë kolegë që absolutisht në zonat ku janë caktuar, do të bëjnë një fushatë model në secilin prej rajoneve ku janë caktuar. Kam atë keqardhjen time që në këta emra nuk ka pasur emra zonjash, pavarësisht se në Parlament në PD, edhe në raportin e fundit të ISP, janë 4 zonja që… Edhe në mbledhjen e djeshme është diskutuar që në fushatë do të ketë rol të rëndësishëm Forumi Rinor i PD, që do koordinojë pjesën me të rinjtë dhe Forumi i Gruas, pra Lidhja Demokratike e Gruas në Shqipëri, që së bashku me personat që do drejtojnë fushatën do të mundohen që të alternojnë edhe prurjet nga ana e zonjave apo e të rinjve”, deklaroi Vokshi.