Autori i këngës “Pyes Lotin”, Valentin Veizi ka reaguar për bashkëpunimin e Elsa Lilës me reperin Capital T.
“Më lini t’ja u them troç edhe njëherë, Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës që ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një kengë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin””, shkruan Veizi përmes një postimi në rrjetin social facebook.
Ai i kërkon RTSH-së që ta heqi nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!
Reagimi i plotë
MOS MA BËNI PIS KËNGËN !
Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikës sime, të indinjuar në lidhje të një varianti të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë ‘Festivali 61’ i RTSH-së, duke qënë se s’kam patur mundësi të ndjek festivalin, e kërkoj edhe e dëgjoj në ‘YouTube’ këngën.
Më bën përshtypje (indinjuan) dy gjëra : e para nuk e di kush ka marrë guximin e ka pasur kurajon të ma bej “pis” këngën time, mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të “rifreskuar” apo ta sjellin ndryshe një këngë, por keta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit .
Së dyti : Ti (kushdo) mund të rikendosh nje kenge, por nuk ke asnjë të drejtë te ndryshosh e te denigrosh kengen pa lejen e autorit ,(kompozitorit). Më lini t’ja u them troç edhe njëherë, Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës që ju sollët eshte modeli se si mund te denigrosh, shpërfytyrosh një kengë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin” , prandaj do t’i lutem Radio Televizionit Shqiptar ta heqi nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!
Festivali i 35-të i Këngës, solli një ngjarje të bukur të muzikës së lehtë shqiptare. Një festival i cili u mbajt mend gjatë prej fitores së këngëtares më të re, Elsa Lila, e cila preku skenën e këtij edicioni me këngën “Pyes Lotin”, kompozuar nga Valentin Veizi, me tekst nga Enrieta Sina.
Tirananews.al – l.g