Të gjithë presin se kush do ta drejtojë ekipin kombëtar pas shkarkimit të italianit Kristian Panuçit, pasi vendi i “njëshit” të stolit kuqezi vijon të jetë bosh. Emrat që përfliten janë të shumtë, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Në lidhje me këtë temë ka folur për mediat ditën e sotme edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
Bisedimet
“Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj dhe gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë. Reja është trajner i mirë, ashtu si të tjerët, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi. Kemi kohë për të vendosur, brenda muajit prill dhe të përgatitemi për ndeshjet e qershorit. Ajo që i jep më shumë avantazh një kandidati shqiptar është fakti që mund të njohë më mirë mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit dhe ambientin. Kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë pse jo,” – është shprehur Duka.
Hasi ose Peço
Ndërkohë, pyetjes për emrat e Hasit apo Peços, ai është përgjigjur: “Rrotull këtyre emrave, pasi nuk ka të tjerë. Pse jo dhe Ervin Bulku, pse jo dhe Sulejman Mema. Nuk e di nëse ishte kundërshtari modest, por përgatitja në një kohë të shkurtër nga Bulku dhe Mema, për mua ka qenë maksimal”, – ka qenë prononcimi i presidentit Duka ditën e sotme rreth çështjes së stolit kuqezi.