Trajneri i Kombëtares Shqiptare Edoardo Reja ka mbërritur në Tiranë dhe mbrëmjen e sotme dhe po ndjek në krah të presidentit të FSHF-së Armando Duka, ndeshjen mes Kukësit dhe Slavias Së Sofies.
Takimi i vlefshëm për turin e parë eliminator të Ligës së Europës po zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa vlen të theksohet se në pankinën e verilindorëve do të debutojë sot trajneri Skënder Gega, me shpresën ta udhëheqë Kukësin drejt kualifikimit.
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka uroi Teutën për fitoren 2-0 ndaj Beitar Jerusalemit, që u përkthye në kualifikim për në turin e dytë, teksa e cilësoi këtë si një tregues të rritjes së ndjeshme të futbollit në Shqipëri.
Mesazhi i Dukës:
“Urime Teutës që na gëzoi pa masë sot, të gjithëve. Shumë i gëzuar për kualifikimin në Europa League! Paraqitja e skuadrave shqiptare në Europë, nuk mund të quhet një surprizë, por një realitet i prekshëm që tregon qartazi rritjen cilësore të futbollit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë të Kategorisë Superiore.
Sot ishte e vështirë me Beitar Jerusalem, por që u fitua me meritë nga skuadra durrsake. Një paraqitje dinjitoze që lartëson emrin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Uroj që edhe skuadrat e tjera që na përfaqësojnë në Europa League të na sjellin të njëjtat emocione dhe krenari për të gjithë futbolldashësit shqiptarë.
Sërish futbolli dhuron emocione të forta dhe kënaqësi në këto ditë të vështira.
Bravo Teuta!