Sërish kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule hedh akuza në drejtim censit për regjistrimin e popullatës, mes tyre dhe pakicat kombëtare. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Dule ka listuar një sërë argumentesh, pse sipas tij, censi ka dështuar.
“Nuk bëhet regjistrimi në bazë të legjislacionit që kërkon edhe pyetjet në lidhje me përkatësinë etnike, gjuhën amëtare dhe besimin fetar, përgjigjet janë fakultative, regjistruesit nuk zbatojnë detyrimin e tyre për t’i drejtuar qytetarëve pyetjet, kemi raste kur qytetarët insistojnë dhe regjistruesit thonë nuk janë të detyruar të bëjnë pyetje ose se nuk ekziston mundësia teknike.
Janë përjashtuar regjistrues vetëm me faktin pse kanë regjistruar shumë pjesëtar të një minoriteti dhe nuk janë zëvendësuar. Nuk bëhet njoftim sipas ligjit i atyre që në rastin e parë nuk gjenden në banesat e tyre dhe në rastet kur qytetarët kërkojnë mundësinë e dytë që të regjistrohen, nuk u jepet një mundësi e tillë. Kemi kërcënim, siç ka ndodhur me nënpunës civilë apo biznesmen, kur kanë regjistruar përkatësinë etnike dhe gjuhën amëtare, i kanë thënë që “duhet të kesh parasysh që je nënpunës shteti”, tha ai.
Dule thekson se këto shkelje i ka referuar edhe në instancat e larta të INSTAT, por nuk ka pasur asnjë reflektim. “Ka dështuar dhe edhe kur i kemi paraqitur ankesat tonë në INSTAT nuk kegji gjetur asnjë reflektim”, përfundoi Dule. Censi do të mbyllet më 26 tetor, teksa të dhënat e para do të prezantohen në qershorin e vitit 2023.