Këtë të martë ka vazhduar në Gjykatën e Posaçme procesi për dosjen “Plumbi i Artë”, ku avokati i të penduarit të drejtësisë, Henrik Hoxha ka pyetur të penduarin tjetër, Nuredin Dumani. Përveç raportit të tij me Hoxhën, Dumani i është përgjigjur pyetjeve të avokatit Genti Rumano në lidhje me disa vrasje dhe mënyrën si është njohur me Elio Bitrin dhe Erion Alibej.
PJESË NGA SEANCA:
Avokat Genti Rumano: Kur e keni njohur Henrik Hoxhajn?
Nuredin Dumani: E kam njohur në një ditëlindjen e Festim Qoli. E bënte në një restorant në Fushë Studën ai, me 40-50 vetë. Më tha Festimi, ky është ai vëllai jonë.
Avokat Genti Rumano: Para se ta njihje Henrikun, e ke parë më para?
Nuredin Dumani: E kam parë tek një herë në makinë, në një kohë që Festim Qoli ishte në kërkim për një vrasje. Na morën në telefon, se ishin rrahur disa çuna tek lokali në Nish Tulla.
Avokat Genti Rumano: A kishe dëgjuar më parë për të?
Nuredin Dumani: Fillimisht ku kam dëgjuar për Henrikun ishte kur u arrestova për një grabitje. Aty erdhi një civil, Dritan Lamaj, ai që u vra pastaj, për të cilën u akuzua Ben Frroku. Ai më qëlloi kot e të tjerët i thanë “lëre Tani lëre”. Unë i thashë “mbaje mend ca do të bëj kur të dal”. Ai më tha, sa më kanë thënë mua si ti. Pastaj kur dola nga burgu, mora vesh nga Festim Qoli, që e kishin vrarë.
Avokat Genti Rumano: Cili ka qenë shkaku që ju ka rrahur?
Ndërhyn prokurori Behar Dibra: I lutem gjykatës të disiplinojë avokatin. Pyetja nuk ka lidhje me akuzat.
Avokat Genti Rumano: Çfarë ngjarjes i keni treguar Henrikut nga ato që keni kryer?
Nuredin Dumani: Një nga ngjarjet ka qenë vrasja e Fatmira Dedës. Kjo më kujtohet, për momentin. Gjatë kohës që takohesha me Henrikun nuk kishim kohë të flisnim për ngjarje të vjetra se kishim shumë për të bërë.
Avokat Genti Rumano: A ke marrë porosi ndonjëherë, që ke dashur ta kryesh por nuk e ke bërë?
Nuredin Dumani: Punë quhet kur merr pagesën, ose gjysmën e pagesës. Unë nuk mbaj mend ndonjë rast që të kem marrë pagesën e të mos e kem kryer. Përveç atij rastit të Mashës.
Avokat Genti Rumano: Gjatë dëshmisë në gjykatë, a i ke deklaruar të gjitha ngjarjet për të cilat ke marrë porosi?
Nuredin Dumani: Ato që keni dëgjuar këtu dhe ato që s’i keni dëgjuar i kam deklaruar.
Avokat Genti Rumano: Çfarë opinioni ke krijuar ti për Henrik Hoxhajn?
Nuredin Dumani: Drogaxhi.
Avokat Genti Rumano: Keni konsumuar ndonjëherë drogë dhe alkool?
Nuredin Dumani: Po kam konsumuar.
Avokat Genti Rumano: Në lidhje me ngjarjet që keni organizuar, a i tregonit porositësit Henrikut?
Nuredin Dumani: Në shumë raste jo, sepse nuk ishte i qëndrueshëm dhe e dija që fliste. Sidomos nga fundi nuk i tregoja.
Avokat Genti Rumano: Si e njeh Elio Bitrin?
Nuredin Dumani: Elio Bitrin e kam shok. Henriku e ka takuar dy herë Elio Bitrin. Hera e parë tek vrasja e Dorian Shkozës, por edhe në një rast tjetër. Elio Bitri me pyeti për disa ngjarje, madje kishte dyshime se mund të kisha qenë në vrasjen e familjarëve të Alibeajt. E kishte fjalën për vrasjen e trefishtë, por unë nuk kam qenë në Shqipëri në atë kohë. Elio Bitri dhe Arjan Spahiu më çoi edhe në një ambient, ku takova një person. Aty mora vesh, se ai ishte Erion Alibej.
Marrë nga /A2cnn/