Kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi dje tek Komisioni i Ligjeve dhe diskutimi vijon ende dhe sot për deklaratat e tij. Në “Frontline” u debatua mes panelistëve për paraqitjen e Dumanit.
Deputeti i PS-së Etjen Xhafaj e shikon si një komunikim normal të një kryeprokurori.
“Ishte një komunikim krejt normal mes tij dhe deputetëve. Ka shqetësime nga të gjithë deputetët dhe iu përgjigj gjitha pyetjeve. Nuk besoj se një kryeprokuror mund të hetojë çështjet në hetim.”
Përfaqësuesi i Rithemelimit, Skerdjan Dhuli nuk e shikon si korrekte që përballë Dumanit ishin deputetë që janë në hetim prej SPAK.
“Diçka e pritshme. Deputetët nxorën inatin e tyre në një farë mënyre. Gjëja që më ra në sy, nuk duhet të ishin pjesë deputetë që janë pjesë e hetimeve. Nuk është normale, që të përgjigjet kreu i SPAK kur ti je në hetim prej tij. Pjesë e mbledhjes ishte një deputet që përmendet tek metamorfoza. Xhaçka që akuzohet për grabitje pronash shkon e merr në pyetje Dumanin. Diçka korrekte ishte kërkesa e Dumanit për mandatin. Kreu i SPAK prej kohësh nuk shihet më si prokuror, por si shou men. Duket se Dumani i ka vendosur imazhin e vet strukturës.
Pashë një Altin Dumani ndryshe. Tek KLP ishte tek ata që e votuan. Te deputetët kërkon rimandatimin. Rrezikojmë që prokurorët ta kthejnë drejtësinë si statistikë. Drejtësia nuk mund të ketë statistikë. Nëse ja zgjasin mandatin, se duke i lënë pezull e kthejnë drejtësinë një statistikë. Mbushin prangat. Përplasja me sekretarin e përgjithshëm mund të ishte shmangur“, tha Dhuli.
Analisti Lavdrim Lita zbuloi se ditën e djeshme kishte deputetë që merrnin sms për t’i bërë pyetje Dumanit jo vetëm nga kryetarët e partive, por edhe nga ambasada.
“Ai ka paraqitur një raport prej 252 faqesh, ku renditi sukseset dhe jo sukseset e SPAK. Janë gati 545 persona që po hetohen në mënyrë aktive nga SPAK. Më parë nuk kuptonim si zhvillohej kriminaliteti në vendin tonë. Ky raportim u bë pak i turbullt sepse u bashkuan 2 komisione. Disa deputetë nuk morën pjesë se nuk donin ti bënin pyetje dhe as ta shikonin Dumanin. Një pjesë tjetër merrnin sms të bënin pyetje, jo vetëm nga kryetar partie por edhe nga ambasada. E theksoi se ka bashkëpunim të krimit me policinë. Por ka vënë theksin që shumë punonjës policie kanë tendencë të ndihmojnë grupet kriminale që ti shpëtojnë arrestimeve”, shprehet Lita.
Gazetari Poli Hoxha vlerësoi disa momente të Dumanit, teksa veçoi momentin kur u akuzua puna e SPAK se dekonspirohet.
“U bë në një kontekst ku ndodhi ajo që ndodhi me atë dosjen Metamorfoza 3. Ka dhe zhvillime shumë të forta me politikanët. E gjithë kjo e bëri mbledhjen më interesante. Deputetët dukej hapur që kishin merak. Ai ua bëri të qartë se i kemi veshët të mbyllur. Dhe ju e dini tha. Çdo të thotë kjo? Që ju si politikë keni bërë tentativën tuaj. Ishte pasazhi me Nokën, kur tha se nuk ka shans dikush të sfidojë drejtësinë.
Mesazhi tjetër ishte, ku pati një cedim emocional, ku hidhen hijet e dyshimit se SPAK bën lojën, iu mbushën sytë me lot, kjo është fyerje. Ti godet llumin, një pus i thellë, dhe këta bëkan lojën. Marrin guximin, ne dalim këtu dhe i relativizojmë. Të kesh me miliarda me biznese me killera, ti godasësh, ti shkatërrosh lidhjet dhe të thonë këta ti bën lojën. Mesazhi tjetër është, njihet si prokuror që ka idealizëm”, thekson Poli Hoxha.