Një 12-vjeçar nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit ka humbur jetën një ditë më parë në Qendren Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Lajmi është bërë me dije nga drejtoria e shkollës 9-vjeçare në Vashtemi ku i mituri ishte nxënës i klasës së 7 të kësaj shkolle.
Burime të siguruara pranë shkollës thanë se ka dyshime që 12-vjeçari të ketë humbur jetën për probleme kardiake por pritet ekspertiza ligjore për përcaktimin e vdekjes.
Te njëjtat burime thanë se 12-vjeçari fillimisht është trajtuar me ndihmë mjekësore pranë spitalit rajonal të Korçës, por mjekët e këtij spitali nisur nga gjendja e rënduar e tij e kanë dërguar me urgjencë në QSUT.
Ky nuk është rasti i parë i vdekjeve të dyshuara për probleme kardiake tek moshat e reja në qarkun e Korçës, pasi ditë më parë janë regjistruar edhe 3 vdekje të tjera, ku një 16-vjeçar ndërroi jetë në Korçë, një 17 vjeçare ndërroi jetë në Pogradec e një tjetër rast në qytetin e Ersekës, ku një 15 vjeçare humbin jetën jashtë ambienteve të shkollës.