Kreu i PD, Lulzim Basha, i është përgjigjur ish-ministrit Arben Imami, i cili e ka akuzuar atë se ka dhënë urdhrin për vrasjen e 4 protestuesve më 21 Janar.
Basha deklaroi në “Real Story” se ka pasur proces gjyqësor lidhur me këtë çështje dhe se ai ka dhënë të gjitha deklaratat e tij. Ai shtoi se nuk ka arsye pse t’i fshihet drejtësisë.
Basha tha se deklaratat e tilla e bëjnë Imamin të “bjerë në batakun e një shpifësi ordiner”.
Pyetje: Ju akuzoi Arben Imami që keni vrarë 4 vetë? Kush e dha urdhrin?
Basha: Ju keni dëgjuar shumë akuza të hidhen ndaj meje që prej 9 shtatorit. Ai (Imami) ngriti këtë akuzë banale, të hedhur në mënyrë banale. Ka pasur një proces hetimi, ndjekje penale dhe gjyqësore për 21 Janarin, që ka rezultuar me dënime. Nëse dikush ka diçka ndaj meje për këtë çështje, unë nuk i fshihem drejtësisë. Nuk kam asgjë të re, i kam thënë ato që kisha për të thënë.
Ajo është një shpifje e ulët nga dikush që e kam njohur personalisht. Nuk e mendoja kurrë se do binte në batakun e një shpifësi ordiner. Nuk e di se çfarë e ka detyruar. Nëse ai zotëria e ha turpin me bukë, le ta hajë. Nëse ka diçka, unë jam i hapur. Jam personi më i akuzuar gjatë gjithë kohës që PD ka qenë në pushtet. Nuk i fshihem drejtësisë. Ky është kontrasti mes meje dhe atyre që bëhen mish për top duke shpifur”, tha Basha.