Telenovela mes Interit dhe Ikardit duket se nuk ka ndërmend të përfundojë dhe i vetmi që mund ta zgjidhë këtë situatë, është Gjykata. Ish-kapiteni zikaltër duket se ka në plan të bëjë gjithçka për të qartësuar të ardhmen e tij dhe është i gatshëm t’i drejtohet edhe rrugëve ligjore për t’u larguar nga Interi.
Klubi zikaltër nuk po pranon të negociojë me Ikardin për të ardhmen e tij dhe e ka lënë pezull ndërkohë që ky i fundit nuk ka garanci nëse do të luajë këtë sezon. Konte nuk e ka në plane dhe në kushte të tilla, mediat italiane raportojnë se Ikardi ka përgatitur një denoncim kundër Interit për “mobbing”, term ky që përdoret kur një i punësuar mbahet me presion dhe nuk i jepet siguri për të ardhmen.
Ikardi synon që të përfitojë diçka në rrugë ligjore pasi dëshira e tij duket se është që të qëndrojë te Interi duke rinovuar kontratën me rritje page ose në të kundërt, të lihet i lirë të firmosë me Juventusin. Bardhezinjtë janë skuadra e vetme që duan argjentinasin pasi sjellja e tij dhe refuzimi për të zbritur në fushë i ka bërë klubet që të stepen jo pak.