Merr fund edhe durimi i sheikëve të Katarit me kapriçot e brazilianit Nejmar. Futbollisti i blerë 222 milionë euro për të siguruar Ligën e Kampioneve, as që ka arritur të afrojë klubin me trofeun e lakmuar e si të mos mjaftonte kjo, ka sjellë me vete probleme e polemika që vetëm prishin imazhin e klubit dhe shtetit të Katarit që investon aty.
Ndaj me sa duket, në Paris janë të bindur që të largojnë lojtarin i cili ka dhënë sinjalet e qarta se edhe ai nuk është më i kënaqur në Francë. Sipas “L’Equipe”, gazetës më të madhe sportivë në vend, drejtuesit e klubit tashmë kanë dyert hapur për brazilianin, duke menduar që të heqin qafë një telash të madh si për atmosferën në skuadër ku ai është zënë me thuajse të gjithë, ashtu edhe financiarisht, pasi kontrata e tij ka sjellë pjesën më të madhe të problemeve me Fair Play Financiar e rrjedhimisht UEFA-n.
Gazeta franceze insiston se në rast të një ofertë të majme, klubi nuk do të refuzonte transferimin, përkundrazi, pret që të vijë një e tillë. Kthimi i Leonardos në Paris si drejtor praktikisht i mbyll derën sjelljeve me të cilat ishte mësuar Nejmar, i cili bënte ligjin kudo falë statusit të tij. Leonardo ka marrë “ok” nga Al Khelaifi që mund të ndëshkojë çdo futbollist që nuk i përshtatet rregullave, ndaj edhe Nejmar tashmë i intereson të largohet sa më parë e të kërkojë një sistemim të ri. Problemi është se aktualisht nuk janë të shumta klubet që mund të shpenzojnë rreth 200 milionë euro për të.
