Liridona Ademaj u vra nga një plan i përgatitur nga bashkëshorti i saj dhe ngjarja është lajmi kryesor në mediat tona. Por nga dhimbja e madhe, njerëz duan të përfitojnë. Familja e Shaban Murselit ka marr një telefonatë të çuditshme gjatë së shtunës.
Një person i panjohur deri në atë moment, që ishte paraqitur si përfaqësues i një shoqate bamirësie nga Mali i Zi, i kishte njoftuar ata se kanë mbledhur pesë mijë dollarë për dy fëmijët që humbën nënën, e babai i tyre po dyshohet si organizator i rastit.
Por që të hollat të dërgohen në familje, personi nga Mali i Zi pati një kërkesë. Në tërë këtë bisedë prezent ishte edhe babi i të akuzuarit të tretë për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokallaj. Për televizionin Dukagjini, ai ka treguar sesi ranë pre e mashtrimit.
Baba i Kushtrim Kokallajt, Sali Kokallaj ka theksuar se “Tha duhet menjëherë me i paguar 280 euro në Western Union, se pa i paguar ato, lekët nuk dalin. Mi dha 280 euro Shabani, shkova i pagova. Shkova në Bankë, ku me i dërguar lekët, i tregova që kështu më ka thënë njani, jo tha s’ka kurgjo”.
Zëdhënësi i Policisë-Gjakovë, Sheremet Elezi ka thënë “sot ankuesi mashkull kosovar ka raportuar në polici se një personit i kishte dërguar një shumë parash me mendimin se do të përdoreshin për bamirësi. Më vonë kishte kuptuar se ishte mashtruar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me vendimin e të cilit është iniciuar rasti ‘Mashtrim’. Rasti është duke u hetuar”.