Një incident i ndodhur paraditen e sotme, ku kryeministri Edi Rama largoi gazetaren Edona Haklaj gjatë një transmetimi direkt, pasi nuk kishte maskë ka shkaktuar reagime të shumta. Pas kësaj ka reaguar edhe vetë protagonistja.
Kreu i qeverisë e pyeti se përse nuk e kishte maskën dhe e largoi nga transmetimi duke e shtyrë me dorë. Me këtë veprim që bëri, gazetarja thotë se kryeministri ka shumë borxhe për të larë.
“Sot, për shkak të profesionit që kam rastisa si rrallëherë pranë kryeministrit Rama. Rastisa dhe pa maskë. Për shkak të rrethanave që ndodhin në raportimet live, e që jo gjithmonë janë favorizuese për të qënë gati me mikrofonin, kamerën, e maskën. Kryeministrit, me të drejtë i bëri përshypje mungesa e maskës sime, (edhe pse përdora shallin si barrierë mbrojtëse) dhe pa të drejtë më shtyu në formë urdhëruese për të shkuar dhe për të marrë maskën.Unë i përkas kulturës, dhe reagimi im ndaj liderit suprem ishte në te njëjtën formë, me një largim të qetë, sikur asgjë nuk ndodhi. Duke e njohur mirë kryeministrin, marrëdhenien e tij me medien, nuk doja që ai të gjente një rast për tu grricur, as një arsye për tu bërë lajm. Ama, unë me veprimin tim sot mund ti kem një borxh shtetit për shkeljen e aktit administrativ për mosmbajtjen e maskës, ndërsa kryeministri me veprimin e tij ka shumë borxhe për të larë” shkruan Edona Haklaj.
