Lionel Mesi ka mundur në mënyrë të papritur Kristiano Ronaldon dhe Virxhil Van Dajk për trofeun e “The Best”, duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA. Një vendim i parapritur që ka dalë nga ky votim, pasi pakkush priste argjentinasin, apo edhe portugezin përpara Van Dajk i cili pak kohë më parë mori edhe trofeun e UEFA-s si lojtari më i mirë pasi udhëhoqi Liverpulin në finalen e Ligës së Kampioneve.
Me Ronaldon që kishte bojkotuar aktivitetin, të gjithë menduan se çmimi do t’i shkonte pikërisht holandezit. Por në fakt ai përfundoi në duart e Mesit, i cili u ngjit i emocionuar në skenë duke e cilësuar këtë një natë speciale. “Çmimet individuale janë dytësorë, i pari është ekipi. Por për mua është një natë speciale. Dua të falënderoj gruan dhe fëmijët e mi, pasi janë gjithashtu pjesë e këtij trofeu. Djemtë e mi e dashurojnë futbollin dhe tani po shohin me shumë turp idhujt e tyre”, tha Mesi para sallës ku kishte shuëm kolegë të pranishëm.
Më pas, e kishte radhën edhe çmimi i “The Best” për femra, ku pakkush kishte dyshime që këtë herë do të përfundonte në duart e sulmueses amerikane Megan Rapino. Kjo e fundit ishte thelbësore në suksesin e SHBA në Kupën e Botës e sidomos bëri bujë me deklaratat e saj dhe qëndrimin kundër Donald Tramp, duke iu përgjigjur flakë për flakë presidentit të SHBA. “Mesi duhej të më kishte paralajmëruar që peshonte shumë”, tha sportistja mes të qeshurave në sallë kur mori trofeun.