Një vit më parë ajo publikoi këngën “Pritja e ëmbël”, nota muzikore dedikuar të birit që erdhi në jetë. Prej një viti Blerina Braka nuk ka publikuar projekte muzikore, dhe në profilet e saj në rrjetet sociale tashmë vendin e zë Edeil, djali i saj. Videot nuk janë më klipe, por muzika e mrekullueshme dhe më ngazëlluese, belbëzimet, të qeshurat e të qarat e fëmijës. Muzika është forma më e bukur e shprehjes së emocionit, ndjenjave, dhe kjo periudhë disi pushimi ka qenë e frytshme për Blerinën përsa i përket “brumit” artistik.
Ndjenjat kanë marrë një tjetër formë, forca e mëmësisë një tjetër shtysë për tu rikthyer më e fortë, dhe burimi i saj i energjisë, Edeil e kanë kompletuar edhe më shumë për ti kënduar dashurisë, të bukurës, pasionit e ndjenjës në një formë më plotë. E për një nënë si Blerina kur bën bashkë melodinë me mëmësinë mund të krijohen këngët më të bukura të shpirtit.
Jo më kot në këtë intervistë për tirananews.al, Blerina thotë se Edeil është pika më e lartë e suksesit. Duke na rrëfyer për projektet e ardhshme muzikore këngëtarja thotë se shumë shpejt do të vijë me një bashkëpunim. “Sapo përfunduan xhirimet e klipit i cili do të jetë bashkëpunim, besoj nga java që vjen del”, thotë Blerina, duke e lënë surprizë këngën.
Përshëndetje Blerina! Si po e kaloni këtë periudhë me kohë të plotë si nënë e Edeil?
Përshëndetje! Mund të them që është periudha më e bukur dhe më e vërtetë e jetës sime, më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë më të fortë e të kuptoj vërtet kuptimin e plotë të emrit nënë… Ndjehem e plotësuar, nëse deri dje më lëndonte ndonjë disfatë e rrugëtimit tim artistik sot nuk kam kohë të lëndohem… Edeil është pika ime më e lartë e suksesit…
Në fund të majit djali mbush 1 vjeç. Na rrëfeni pak për sfidat e vitit të parë të jetës, momenti i dhëmbit të parë, belbëzimet e para, hapat e para.
Në 31 Maj biri mamit mbush 1 vjec, akoma s’na besohet, e shohim çdo ditë teksa rritet e ndryshon dhe na duket bekim nga Zoti. Çdo ditë ka adrenalinë teksa shohim Edeil që na dhuron buzëqeshje, përpiqet të flasë, na përqafon, ka filluar të ecë ( që të kuptohemi edhe na lodh shumë, qesh) por siç e di çdo nënë lodhja e humbet kuptimin përpara kësaj dashurie.
Në rrjetet sociale bëtë të ditur rikthimin tuaj në muzikë. Ndërkohë pak para lindjes së djalit publikuat këngën “Pritja e ëmbël”. Mos do të jetë sërish Edeil që do ju rikthejë? Na zbuloni pak projektin e radhës?
Sapo përfunduan xhirimet e klipit i cili do të jetë bashkëpunim, besoj nga java që vjen del… Do më pëlqente ta lija surprizë…
Gjatë karrierës suaj të gjatë, keni publikuar këngë ritmike, baladë, etj. Kujtoj që kënga “Mirupafshim Dashuri” në Këngën Magjike u prit mjaft mirë nga publiku. Në cilin zhanër e gjeni veten më mirë?
Unë e dua muzikën në të gjitha format e gjinitë e saj, baladat ka momente të jetës së njeriut që ja do shpirti ashtu si dhe ritmiket që ka momente që t’i do qejfi…Unë i adhuroj baladat…/ tirananews.al