Ndeshja e “Seria A” mes Cagliari-t dhe Juventusit vijon të prodhojë shumë polemika për shkak të thirrjeve raciste që tifozët vendas bënë ndaj sulmuesit 19-vjeçar të bardhezinjve, Moise Kean.
Ai që i habiti të gjithë pas kësaj ngjarje ishte Leonardo Bonucci, futbollisti i Juventusit i cili deklaroi se faji për thirrjet raciste ishte edhe i Kean, pasi ky i fundit shkoi të festonte te kundërshtarët. Nga ky moment drejt Bonucci-t pati një lumë kritikash, ku veçohet ai i Rahem Sterling, i cili ironizoi ndaj qendërmbrojtësit italian.
Së fundmi për këtë çështje ka folur edhe Giorgio Chiellini, kapiteni i Juventusit i cili qartësisht ka dalë në mbrojtje të Kean dhe kundër Bonucci-t.
“Moise është një aset i futbollit italian, një djalosh i artë që po bën më të mirën e tij dhe që nuk duhet të hiqet si dikush tjetër. Nuk e pashë qartësisht se çfarë ndodhi kur ishim në fushë, por duke iu referuar fotove them që Moise nuk bëri asgjë të gabuar.
Duhet ta mendojmë sikur Moise të ishte Nicolo Zaniolo, Frederico Chiesa, Nicola Barella (që janë lojtarë të tjerë të kombëtares italiane)… ata e përfaqësojnë pozitivisht futbollin italian, pasi e meritojnë statusin që kanë.
E vetmja gjë që nuk duhej bërë ishte festa para tifozëve të Cagliari-t, që jam i sigurtë që nuk do të përsëritet, pasi Moise është i ri dhe është këtu për të mësuar. Ai është një person shumë pozitiv dhe jam i sigurtë që nuk i meritoi thirrjet raciste që mori.”