Egnatia e Superiores do i luajë ndeshjet në stadiumin e vet, aty ku punohet deri në orët e vona të mbrëmjes për të përfunduar gjithçka sa më shpejt. Drejtuesit janë në luftë me kohën dhe me sa duket, punimet kanë ecur.
Tribuna e cila do të ndërtohet nga e para dhe do të jetë sa gjatësia e fushës, tashmë si karabina është drejt përfundimit, madje edhe shkallët kanë përfunduar. Drejtuesit rrogozhinas çdo ditë inspektojnë punimet ashtu si edhe presidenti i apasionuar Agim Demrozi i cili nuk kursehet për skuadrën e tij.
Sa i përket fushës, edhe impianti po ecën mjaft mirë, pasi ka mbetur vetëm dheu torfë si dhe tapeti. Ndërkohë qe në një moment tjetër do të përfundojë tërë projekti me shkallët ballorë që do të jenë njësoj si ato të tribunës. Stadiumi do të marrë një pamje madhështore dhe kjo ka filluar që të duket qe tani kur në më pak se dy muaj nga fillimi i punimeve, ato kanë avancuar dukshëm dhe sezoni i ri e gjen skuadrën rrogozhinase në shtëpinë dhe stadiumin e vet, këtë herë modern!