Ekonomia u rrit me 3,79% në vitin 2025, e mbështetur kryesisht te ndërtimi, shërbimet publike, taksat dhe investimet.
INSTAT publikoi sot raportin për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2025, sipas të cilit për këtë periudhë, PBB u zgjerua me 3,80%.
Taksat neto mbi produktet dhanë kontributin më të madh në rritjen e ekonomisë. Ndërtimi u zgjerua me 7,36% dhe kontribuoi me 1,17 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.
Nga ana tjetër, sipas raportit, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia shënuan rritje prej 8,30%, duke dhënë kontribut prej 1,02 pikë përqindje.
Aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 6,25%, ndërsa sektori financiar dhe i sigurimit me 2,82%.
Referuar të dhënave, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore u zgjeruan me 1,14% dhe aktivitetet e artit, argëtimit dhe shërbimeve profesionale me 0,81% dhe 0,11%.
Ndërkohë, bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 2,19% dhe kontribuan negativisht me 0,27 pikë përqindje. Industria, energjia dhe uji shënuan po ashtu rënie prej 1,59% dhe informacioni dhe komunikacioni ra me 3,55%.
Nga ana e shpenzimeve, konsumimi i familjeve u rrit me 2,99% dhe konsumimi i qeverisë me 1,83%.
Investimet, të njohura si formimi bruto i kapitalit fiks u rritën me 6,73%.
Ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve u zgjeruan me 10,65%, ndërsa importet me 6,56%.
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, konsumi i familjeve u rrit me 1,49%, ndërsa konsumimi i qeverisë shënoi një rënie të vogël prej 0,08%.
Investimet vazhduan të rriten me 1,74%, por eksportet dhe importet ranë përkatësisht me 1,64% dhe 1,51%.
