Situata politike në Shqipëri vijon të jetë e tensionuar dhe pse për një muaj, më 18 tetor, do të vendoset për çeljen e negociatave të vendit me BE-në. Por si e shohin eurodeputetët krizën politike në Shqipëri dhe sa ndikon ajo në integrimin e vendit.
Në një intervistë ekskluzive për tirananews.al, Tanja Fajon, deputetja e Parlamentit Evropian, raportuese për liberalizimin e vizave për Shqipërinë në 2010, dhe një mbështetëse e fortë e vendit tonë thotë se protestat dhe moskuptimet mes palëve politike në Shqipëri mund të vënë në diskutim të ardhmen e vendit.
Eurodeputetja thotë se mund të ketë një çelje negociatash me kushte në tetor, dhe se shpreson që qeveritë e BE të përmbushin detyrimet e tyrë për ti dhënë dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian.
Mesazhi i znj. Fajon për politikën shqiptare është që palët të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje më të mirë për qytetarët shqiptarë. “Është shumë e rëndësishme të mos dëmtohet vullneti i popullit, i cili shprehet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thotë Fajon.
Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën, Fajon thotë se do të këmbëngulë të mos vihen kushte të reja për këtë proces pasi shteti më i ri i Ballkanit i ka plotësuar kushtet. Ajo thotë se do ta adresoj këtë çështje me ministrat përkatës sa më shpejtë të jetë e mundur.
Keni qenë një nga mbështetëset më të mëdha për liberalizimin e vizave për Shqipërinë në 2010, madje një lokal në Tiranë mori emrin tuaj. Si e shini realitetin e sotëm në Shqipëri? Jeni e bindur se keni bërë gjënë e duhur si raportuese për liberalizimin e vizave?
-Liberalizimi i vizave ka qenë një nga arritjet më të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua të punoja për këtë. Unë besoj se njerëzit kanë të drejtën të lëvizin lirshëm, pa kufij për sa kohë kjo sjell përfitime për të dyja palët. Situata politike në Shqipëri nuk është ajo që duhet të jetë, protestat dhe moskuptimet mes opozitës dhe qeverisë po çojnë drejt reformave më të ngadalta dhe integrimit europian. E ardhmja e vendit mund të vihet në diskutim nëse humbasin shumë mundësi, veçanërisht për brezat e rinj. Ne na duhen më shumë ngjarje pozitive dhe një momentum tani.
Muajin e ardhshëm Bashkimi Evropian do të vendosë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zhvillimet në të dy vendet nuk janë njësoj, teksa Maqedonia e Veriut arriti marrëveshjen historike me Greqinë për çështjen e emrit, ndërsa Shqipëria po kalon një krizë politike. A do të ketë një dritë jeshile nga BE në tetor për të hapur negociatat?
-Sinqerisht shpresoj që qeveritë e BE të përmbushin detyrimet e tyre dhe të japin dritën jeshile për negociatat për të dy vendet në tetor. Mjaft progres është bërë në të dy vendet dhe të dy vendet kanë kaluar në një rrugë të gjatë. Megjithatë puna nuk ka përfunduar. Agjenda e reformave duhet të vijojë, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sundimi i ligjit, por është e mundur që në fund të fundit çelja e negociatave të bëhet me kushte. Parlamenti Evropian do të vazhdojë të jetë një aleat i fortë për zgjerimin dhe ne do të kërkojmë këtë dhe nga Komisioni i ri gjithashtu.
Duke qëndruar tek situata aktuale politike në Shqipëri, cili është mesazhi juaj për politikën shqiptare?
-Është e qartë se situata aktuale politike nuk do të sjellë asgjë të mirë për të dyja palët. Vetëm me një vend të qëndrueshëm mund të vijohet me reformat dhe integrimin. Është shumë e rëndësishme të mos dëmtohet vullneti i popullit, i cili shprehet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mesazhi im për politikanët e të dy palëve është të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët shqiptarë.
Pyetja e fundit, liberalizimi i vizave për Kosovën. Kur mund të ndodhë kjo, znj. Fajon? A do të ketë kushte të tjera nga BE?
Procesi i liberalizimit të vizave të Kosovës ka qenë një viktimë e politikës së brendshme evropiane, veçanërisht për shkak të situatës në disa vende anëtare, si Franca. Sinqerisht shpresoj, me gjithë zgjedhjet e mëdha që vijnë pas, një momentum i ri mund të ndërtohet në muajt e ardhshëm, por qeveritë e BE duhet të pranojnë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vështira dhe në Parlamentin Evropian nuk do të pranoj që kushte të reja t’i bashkëngjiten procesit. Si raportuese e PE do të vijoj të këmbëngul dhe do ta adresoj këtë çështje me ministrat përkatës sa më shpejtë të jetë e mundur.
Përgatiti: Anisa Braho