Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë mendohet se ka të bëjë me faktin që Shqipëria ka strehuar grupin disident iranian MEK. Edmond Liçaj, ekspert i teknologjisë dhe informacionit, në një intervistë për ‘Ora News’ ngre me shqetësimin mungesën e seriozitetit të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e kësaj çështje.
Sipas tij, Irani nuk është një shtet që duhet marrë lehtë duke pasur parasysh që kundërshtarë ka superfuqitë botërore dhe ne kemi aleat të ngushtë njërin prej tyre.
Liçaj: Irani nuk është shtet që mund ta marrësh lehtë, kundërshtarët më të mëdhenj ka superfuqitë botërore. Aq më tepër që ne jemi aleatë me kundërshtarin e një shteti të tillë. Për mendimin tim përveç faktit që është bërë target sistemi i shërbimit online, target ne bëhemi dhe nga qëndrimet politike që mban qeveria apo shteti jonë ndaj këtyre shteteve.
Shqipërinë ai e sheh target të këtij sulmi sa për numrin e lartë të shërbimeve online, aq dhe për qëndrimet politike ndaj Iranit.
Liçaj: Sulmet kibernetike janë shumë të kushtueshme dhe bëhen për qëllime të caktuara, qoftë për marrje informacioni, qoftë për dëmtim apo qoftë për të dhënë mesazhe për të treguar forcë e fuqi ndaj një shteti si Shqipëria. Shqipëria ka kapacitet të menaxhojë aq sa ka kapacitet të cilin mund ta ofrojë shërbimin.Ajo që na ekspozoi ne ishte lançimi i shërbimeve online që në historikun tonë fatkeqësisht kishim rrjedhje të vazhdueshme të dhënash dhe kjo na bëri target sulmi.
Ai thotë se sulmet kibernetike qëllim parësor kanë marrjen e informacionit.
Liçaj: Sa më shumë informacion posedon një shtet aq më shumë i fuqishëm është ndaj atyre shteteve. Marrja e informacionit dhe kthimi i sistemit të e-Albania funksional nuk tregon se jemi të mbrojtur. Nuk duhet të ndalojmë në përmirësimin e sigurisë së portalit qeveritar. Gjatë kohës që është bërë sot deklarata nga kryeministri e-Albania për disa orë nuk ka funksionuar. Nuk dihet nëse është mbyllur për çështje sigurie apo është sulmuar për të dhënë një mesazh ndaj kësaj mase. Ajo që na shqetëson më shumë është mosvetëdijësimi i institucioneve dhe personave përgjegjës që merren me menaxhimin e të dhënave të qytetarëve. E marrin si një gjë të zakonshme, shumë të lehtë. Fatkeqësisht te ne harrohet shumë shpejt dhe reagimi është shumë i ngadaltë.
Eksperti ngre shqetësimin se aktualisht ne nuk kemi strategji kombëtare sa i përket sigurisë së të dhënave personale, ajo ka mbaruar në 2021.
Liçaj: Po të futemi në institucionin përgjegjës për strategjinë e ruajtjes së të dhënave personale që aty futen dhe të dhënat sensitive, mungon kjo strategji. Aty thuhet se strategjia do të jetë 2022-2024 ndërkohë që ne nuk e kemi një strategji të tillë. Kjo tregon se institucionet përgjegjëse nuk e kanë fokusin e duhur. Duhet të jesh shumë teknik në këtë drejtim. Janë vjedhur të dhëna, janë shkarkuar dhe publikohen çdo ditë. Fati i mirë që nuk po publikohen të gjitha, janë duke u publikuar vetëm disa pjesë sepse ata kanë qëllimin e tyre siç e kanë dhënë mesazhin sa i përket muxhahedinëve dhe problemeve të tyre të brendshme, urojmë të mos hedhin më të dhëna.