15 persona janë shoqëruar në polici pas ekzekutimit të Ismet Çekores mesditën e të premtes në Shkodër. Mes emrave që u thirrën në polici ishte edhe i riu Alban Bruçi që i shpëtoi një atentati pak ditë më parë dhe babai i tij, por janë lënë të lirë.
Mësohet se pas atentatit të dështuar ndaj 25-vjeçarit, ku policia shpalli si autor të dyshuar djalin e Ismet Çekores, Bajram Çekoren, dy familjet janë takuar dhe sqaruar mes tyre.
Policia e Shkodrës ka hedhur poshtë dyshimet se vrasja e 58-vjeçarit Ismet Çekorja ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit mbrëmjen e 25 gushtit dhe kanë lënë të lirë të riun dhe babain e tij, pasi u morën në pyetje.
Blutë e Shkodrës po hetojnë për konflikte të tjera të mundshme të mëparshme të familjes Çekorja.