Durrësi u trondit nga një krim i rëndë këtë pasdite, ku dy vëllezër u ekzekutuan me breshëri plumbash në makinën e tyre “Volswagen”. Besmir dhe Viktor Haxhia u gjetën të pajetë në vendin e ngjarje, pasi u ekzekutuan nga persona ende të paidentifikuar.
Dy të rinjt jetonin në lagjen 15 në Spille të Durrësit, ndërsa mësohet se ata ishin me origjinë nga Puka.
Besmiri kohë më parë kishte qenë emigrant në Holandë, ndërsa pas kthimit kishte ngritur një biznes për dhënie makinash me qira e një lavazh. Ai njihej nga të afërmit dhe miqt me nofken Miri i Kolës.
Mësohet se Besmir Haxhia ka qenë me precedent penal jashtë vendit. Ndërsa Viktori ishte i diplomuar për Drejtësi dhe kishte marrë licensën e Avokatit.
Një nga pistat ku po hetohet për motivin e vrasjes së dy vëllezërve, është ajo e dhënies së makinave me qira që Besmiri kishte.
Nuk dihet nëse viktimat kanë pasur njohje me agresorët e tyre, pasi mësohet se ata e kanë ndaluar vetë makinën por janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga ana e atentatorëve.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur 55 gëzhoja, të cilat janë qitur nga dy armë të ndryshme, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që mund të kenë dijeni mbi vrasjen.