Nga Vlora ku bëri një analizë të situatës së rendit në qytet, ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë deklaratës për mediat, foli edhe për ekzekutimin me snajper të 23-vjeçarit Gëzim Sinomati.
Ministri u shpreh se për hetimin e ngjarjes së rëndë është angazhuar personalisht drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku dhe theksoi se në pistën e parë kryesore që policia do të ketë, do të kryejë dokumentimin e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.
“Është një ngjarje kriminale e rëndë për të cilën është angazhuar personalisht drejtori i përgjithshëm së bashku me drejtues vendorë. Besoj se në pistën kryesore që kemi do shkojmë drejt dokumentimit dhe arrestimit të personave”,-tha Balla.
Ministri shtoi dhe se ngjarje të tilla kriminale rikthejnë shqetësimin e qytetarëve për rendin në qytet. Balla garantoi se policia është shumë pranë zbardhjes së ngjarjeve kriminale.