Çfarë pretendimesh ka Armand Duka për Eleminatoret e Botërorit “Katar 2022” kur në grup ke kombëtare si Anglia apo Polonia e Lewandowskit? Kësaj pyetje presidenti i FSHF i kthehu përgjigje gjatë intervistës së tij për emisionin “Ora Sport” në RTV Ora.
Armand Duka theksoi se: “Pothuajse asnjë skuadër në Europë nuk është e lehtë. Asnjë ndeshje nuk fitohet në letër, asnjë ndeshje nuk humbet në tavolinë. Kështu që duhet ti përgatisësh mirë. Pa dyshim, edhe për nga procedura që bëhet shorti, vazot nga vijnë, niveli i ekipeve Anglia është një ekip shumë i mirë. Hungaria gjithashtu është një ekip shumë i mire. Ka edhe një moment të mire Hungaria. Fatkeqësisht kemi një histori të keqe me Hungarinë. Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në historinë e saj ndaj Hungarisë.
Polonia një tjetër ekip shumë i madh me lojtarin më të mire të Vitit por edhe me shumë talente të tjera. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet ti provojmë të gjitha shanset tona. Çdo pozicionim nga i pari te i treti do të ishte i kënaqshëm por gjithësesi duhet të tentojmë për të shkuar edhe në Play Off.Ne akoma pretendojmë të shkojmë në Play Off edhe nga Nations League. Në Nations League jemi në vend të 11 dhe nëse 9 nga ato do të jenë vende të para dhe të dyta në Eleminatore atëherë ne do të jemi në Play Off nga Nations League. Prandaj ajo humbja me Lituaninë do të na peshojë se nëse do e kishim fituar atë ndeshje nuk do të ishim në vend të 11 por në vend të 10 dhe shanset tona për Play Off do të ishin akoma më të mëdhaja.
Ne kemi ekip kompetitiv. Unë kam besim që ne mund të luajmë kundër çdo kundërshtari. Na ka barazuar Andorra në Elbasan, në nëntor 2019. Por ne mund të fitojmë edhe ndaj Anglisë në Tiranë, pa dyshim.”
Shqipëria ndodhet në grupin I eleminator së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë Andorrën dhe San Marinon.