Vendi më 20 nëntor u “pushtua” nga moti i keq me rrebeshje të dendura që erdhën me dëme, por jo edhe pa një efekt pozitiv për situatën energjetike. Niveli i liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit u rrit ndjeshëm, teksa një pjesë e prurjeve u kthyen në tepricë.
Korporata Elektroenergjetike mësohet se ka zhvilluar 4 tendera për shitjen e mbiprodhimit, duke arritur përkatësisht vlerat prej 3,3 milionë euro, 662 mijë euro, 2,6 milionë euro dhe sërish 2.6 milionë euro. Në total për shitjen e 47 mijë e 560 MWh, përfitimi llogaritet në 9,3 milionë euro.
Me përjashtim të ankandit të datës 21 nëntor, kur çmimi i shitjes nga KESH ishte mesatarisht vetëm 82 euro për njësi, në procedurat e radhës çmimi është rritur deri në 267,5 euro për megavatorë, në nivele të ngjashme me bursën e Hungarisë në momentin e shitjes.
Rezerva aktuale energjetike, kombinuar me pritshmëritë e mira për reshje në javët e mbetura të vitit, pritet që shumë shpejt qeveria të njoftojë moszbatimin e fashës së energjisë edhe për muajin dhjetor.
