Pas një viti 2025 relativisht “të qetë”, qielli përgatitet të ofrojë një spektakël unik. Duke nisur nga viti 2026 dhe brenda një periudhe vetëm trevjeçare, Toka do të përjetojë një sekuencë të rrallë prej tre eklipseve totale diellore dhe tre eklipseve unazore, të njohura si “unazat e zjarrit”.
Bëhet fjalë për një përkim që nuk është përsëritur që nga periudha 2008–2010 dhe që, sipas ekspertëve, konsiderohet një nga më të pasurat me eklipse në shekullin XXI.
Kalendari i eklipseve të vitit 2026
Siç shkruan Forbes, gjithçka nis më 17 shkurt 2026, me një eklips unazor diellor, gjatë të cilit Hëna do të mbulojë rreth 96% të Diellit për deri në 2 minuta e 20 sekonda. Fenomeni do të jetë i dukshëm vetëm nga zona të izoluara të Antarktidës, duke e bërë praktikisht të paarritshëm për publikun e gjerë.
Pak javë më vonë, më 3 mars 2026, do të ndodhë një eklips total hënor, i njohur edhe si “Hëna e përgjakur”. Hëna do të marrë një nuancë të theksuar të kuqe për rreth 58 minuta.
Fenomeni do të jetë i dukshëm kryesisht nga Amerika e Veriut perëndimore, Australia, Zelanda e Re, Azia Lindore dhe Oqeani Paqësor. Ky do të jetë gjithashtu eklipsi i fundit total hënor deri në vitin 2029.
Ngjarja kulmore e vitit vjen më 12 gusht 2026, kur një eklips total diellor do të jetë i dukshëm nga Groenlanda lindore, Islanda perëndimore dhe Spanja veriore.
Eklipsi do të zgjasë deri në 2 minuta e 18 sekonda pranë Islandës dhe do të jetë eklipsi i parë total diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale që nga viti 1999.
Viti 2026 mbyllet më 28 gusht me një eklips të thellë të pjesshëm hënor, gjatë të cilit 96% e sipërfaqes së Hënës do të errësohet dhe do të marrë ngjyrë të kuqërremtë, pa arritur megjithatë në fazë totale.
Tre eklipse totale diellore brenda 710 ditësh
Eklipsi total diellor i 12 gushtit 2026 hap një periudhë të rrallë “aktiviteti” qiellor, me tre eklipse totale diellore brenda vetëm 710 ditësh.
Saktësisht një vit hënor më vonë, më 2 gusht 2027, do të ndodhë më spektakolari prej tyre, një eklips total me kohëzgjatje deri në 6 minuta e 22 sekonda, më i gjati që do të shënohet në pjesën e mbetur të shekullit XXI.
Fenomeni do të jetë i dukshëm nga Spanja jugore, Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme, me Egjiptin dhe qytetin e Luksorit që konsiderohen ndër pikat ideale të vëzhgimit për shkak të gjasave të larta për qiell të kthjellët.
“Trevjecari i artë” i eklipseve do të përmbyllet më 22 korrik 2028, kur eklipsi total do të rikthehet në Australi dhe Zelandë të Re. Sydney do të përjetojë eklipsin e parë total diellor që nga viti 1857, ndërsa zona të izoluara të Australisë Perëndimore do të shijojnë më shumë se pesë minuta errësirë totale, në kushte veçanërisht të favorshme moti.
Rikthimi i “unazës së zjarrit”
Paralelisht, eklipset unazore – ndonëse më pak dramatike se ato totale – do të ofrojnë pamje mbresëlënëse. Pas fenomenit në Antarktidë në vitin 2026:
6 shkurt 2027: Një “unazë zjarri” spektakolare do të jetë e dukshme nga Kili, Argjentina dhe Afrika Perëndimore, me kohëzgjatje deri në 7 minuta e 51 sekonda.
26 janar 2028: Eklipsi unazor më mbresëlënës i periudhës, me kohëzgjatje 10 minuta e 27 sekonda, i dukshëm nga Ishujt Galapagos, Ekuadori dhe Brazili, ndërsa fenomeni do të përfundojë në perëndim të Diellit mbi Spanjë.
Për adhuruesit e astronomisë dhe “gjuetarët e eklipseve”, periudha 2026–2028 pritet të jetë një nga më emocionueset për vëzhgimin e qiellit, me fenomene që rrallëherë përsëriten brenda një jete njerëzore.
