Biznesmeni Ervin Mata ka dhënë dëshminë e tij në polici pas vetë-dorëzimit mbrëmjen e djeshme.
Sipas Balkanweb, ai nuk ka folur shumë në polici, por ka thënë se u dorëzua pasi nuk ka lidhje me vrasjen e Fabiol Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt e Elion Hatos.
“Nuk kam qëlluar me armë zjarri. Jam larguar i frikësuar pas të shtënave, por nuk kam qëlluar, mua më sulmuan”,- ka thënë Mata. Ai po ashtu është shprehur se nuk ka konflikte me asnjë person.
Ervin Mata ishte shpallur në kërkim që prej katër muajsh, ndërsa u dorëzua në polici mbrëmjen e djeshme.
Ai u përfshi në konfliktin me armë të ndodhur në 5 tetor në një lokal në Ish-Bllok, ku u qëllua për vdekje Fabjol Gaxha, ndërsa mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim.
Por ndërsa fillimisht, pati dyshime se konflikti erdhi si pasojë e një ngacmimi që i ishte bërë të fejuarës së Matës, këngëtares së njohur Elvana Gjata, hetimet vazhduan edhe për motive që kishin të bënin për prishje të pazareve të drogës.